Bejko: Pushtetarët ushtrojnë presion ndaj punonjësve të administratës për t’u anëtarësuar në PS
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko, gjatë një deklarate për median ka deklaruar se punonjësit e administratave janë janë nën presion për t’u marrë në takimet e fushatës së anëtarësimeve në PS, duke u kërcënuar me vendin e punës.
Bejko u shpreh se, sipas tij, ajo që po paraqitet për propagandë si një fushatë normale dhe me dëshirën e njerëzve, në të vërtetë fsheh presionin që pushtetarve qendrorë dhe lokalë bëjnë ndaj vartësve të tyre.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, NËNKRYETARI, ROLAND BEJKO
Partia Demokratike e Shqipërisë denoncon presionin e jashtëzakonshëm që është duke u ushtruar ndaj administratës publike lidhur me fushatën e anëtarësimeve në Partinë Socialiste. Ajo që po paraqitet për propagandë si një fushatë normale dhe me dëshirën e njerëzve, në të vërtetë fsheh presionin që pushtetarve qendrorë dhe lokalë bëjnë ndaj vartësve të tyre.
Mjafton të shohësh fotot që ata shpërndajnë për të parë dhe për të kuptuar që në fakt pjesëtarët e këtyre takimeve janë punonjës të administratës, drejtues shkollash, mësues, edukatorë, infermierë apo punonjës të personelit mbështetës, që merren në takime nën presionin e vendit të punës dhe jo të dëshirës së tyre vetjake.
Kjo nuk është hera e parë që Partia Socialiste bën të njëjtin presion ndaj administratës, ku herë nën kërbaçin e vendit të punës dhe herë të tjera nën syrin vigjilentë të patronazhistëve, përditë dhe më shumë e bëjnë këtë vend të pajetueshëm, duke i detyruar njerëzit të largohen nga sytë këmbët, për shkak të mundësive të pakta të lirisë që ngushtohet përditë dhe më shumë.
Propaganda e administratës së depolitizuar nuk mund të justifikohet me presionin dhe shantazhin për bukën e gojës. Të njëjtin gabim, si socialistët sot, e ka bërë më parë, në 2012 edhe Sali Berisha me drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët detyruan nëpunësit e administratës të merrnin teserat e Partisë Demokratike, por që kjo praktikë u refuzua me vota nga qytetarët në zgjedhjet e 2013. Kjo do ndodhë edhe me Edi Ramën në zgjedhjet e 2025.
Ndaj, Partia Demokratike e Shqipërisë synon t’i japë fund kësaj maskarade me administratën publike, duke u dhënë shqiptarëve dhe punonjësve lirinë e duhur për të zgjedhur dhe mundësinë për të qenë të patrysnuar në preferencat e tyre politike.
Partia Demokratike e Shqipërisë, nesër në pushtet, do ta modernizojë administratën publike, duke e bërë atë efikase dhe duke u dhënë qytetarëve mundësinë për të qëndruar në vendin e punës vetëm si pasojë e aftësive dhe meritave dhe jo e presionit apo dhunës partiake duke i dhënë fund njëherë e mirë sundimit të partitokracisë dhe liderit të partisë në pushtet, mbi shtetin.