Arsimi dhe formimi profesional, Rama: Mbi 60% e nxënësve punësohen menjëherë
Kryeministri i vendit Edi Rama, mori pjesë në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, ku po diskutohen rezultatet e reformës në arsimin dhe formimin profesional, si edhe vizionin “Aftësi 2030” për zhvillimin e aftësive, rritjen e punësimit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Ai theksoi se 63% e nxënëseve që kualifikohen në arsim profesional arrijnë të integrohen menjëherë në tregun e punës.
Sipas Ramës, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, arsimin profesional e gjeti në kushte të këqija, ndërsa sot ky sektor është transformuar totalisht.
“Kur ne kemi nisur këtë rrugë, ne kemi pasur një sistem të arsimit profesional të degraduar dhe të padobishëm për të rinjtë dhe të rejat. Të rinjtë nuk gjeni aty asnjë kusht për të zhvilluar talentin dhe për të marrë talentin e tyre.
Nuk kishte kushte, nuk kishte laboratorë dhe nuk kishe lidhje mes arsimimit profesional dhe tregut. Sot situate është krejt ndryshe. Synimi ynë është që të kemi 1 në 3 nxënës në arsimin profesional.
Sot jemi në kushtet që edhe arsimi profesional është një zgjedhje. 63% e atyre që mbarojnë arsimin profesional arrijnë të punësohen. Sistemi ynë i turizmit është një sistem i ri, por është dhe një sistem që është ende larg së ofrimit të cilësisë, dhe për këtë arsye, që të interesuarit që kanë investuar në turizëm kanë nevojë për punonjës të kualifikuar”, tha Rama.


