“Amnistia”, Spiropali: Zgjidhje me mjete politike, të diskutojmë edhe për reformën zgjedhore
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në një intervistë televizive tha se mazhoranca do të vijojë diskutimet me deputetët dhe grupet parlamentare të opozitës për të gjetur mundësinë për ta votuar sa më shpejt të jetë e mundur ligjin për “Amnistinë penale”.
Madje, shtoi ajo, diskutimet në këtë drejtim duhet të vazhdohen edhe për Reformën Zgjedhore, ku duhen adresuar kërkesat e OSBE/ODIHR.
“Ne do të vijojmë ta sjellim (pr/ligjin) në seancë, do të vijojmë diskutimet me deputetët dhe grupet parlamentare. Ju përdorët termin “negociata”, por negociata është fjalë e madhe, që nënkupton se të gjitha palët duhet të jenë të arsyeshme të ulen për të gjetur një zgjidhje. Por, në rast se palët kërkojnë të gjejnë vetëm alibi për të mos dhënë zgjidhje, kjo është një çështje tjetër, të cilës ne nuk i përgjigjemi dot. Prandaj kërkojmë që të jenë të arsyeshëm”, tha Spiropali.
Ajo shtoi se palët duhet të gjejnë zgjidhje politike, dhe mazhoranca në këtë drejtim nuk do të hezitojë të bashkëbisedojë me opozitën, duke kujtuar këtu edhe rëndësinë e daljes me një rezultat në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
“Nëse palët mundohen të gjejnë të gjejnë alibi për të mos gjetur zgjidhje, kjo është çështje tjetër, të cilës ne nuk i përgjigjemi dot me mjete që kemi në dispozicion, pra mjetet politike. Ne urojmë që të gjitha mjetet politike të përdoren, dhe patjetër, ne nuk hezitojmë në asnjë moment të ulemi me deputetët, me grupet, ashtu siç nuk kemi hezituar dhe u bëjmë ftesë të ulemi për të diskutuar në komisionin e Reformës Zgjedhore, çështje përmbajtësore që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor, apo me rekomandimet e ODIHR-it”, tha Spiropali.
“Ashtu siç nuk do të lodhemi, dhe është detyra jonë ta bëjmë, nuk është se duam meritë apo do të kërkojmë dekoratë për këtë, por është e rëndësishme të ulemi në Konferencën e Kryetarëve apo kudo tjetër me kryetarët e grupeve, që të gjejmë një lloj zgjidhje dhe t’ua bëjmë më të thjeshtë deputetëve kthimin në Kuvend. Pasi siç duket dhe ata kanë patjetër dëshirë për t’u kthyer, por nuk gjejnë arsye, sepse pa arsye janë larguar nga salla dhe për arsye të mosarsyes ata kanë ndezur zjarr, tym e flakë dhe kanë përdorur bilbila, duke mos lejuar zhvillimin normal të seancave parlamentare”, tha ajo.
Sipas Spiropalit edhe komisionet hetimore të kërkuara nga një pjesë e opozitës janë alibi për kaosin në parlament.