ALTERNATIVË, JO SULM! Berisha mesazh kandidatëve: 80% të kohës merruni me programin, 20% me sulmet!

Sali Berisha u ka dërguar një mesazh të qartë të gjithë kandidatëve të Partisë Demokratike në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit. Në mesazh theksohet se reagimet ndaj Ramës nuk duhet të jenë spontane, por të koordinuara dhe të lidhura me denoncimet konkrete gjatë shpjegimit të programit.

Të gjithë kandidatët e Partisë Demokratike Koalicionit për Shqipërinë Madhështore do të duhet që në komunikimet e tyre në rrjetet sociale, në televizion dhe në të gjitha platformat online 80 për qind të kohës së tyre t’ia kushtojnë programit të Partisë Demokratike dhe 20 për qind t’ia përkushtojnë sulmit ndaj kundërshtarit politik që është Partia Socialiste.

“Kjo është porosia që Sali Berisha u ka dërguar përmes një mesazhi në telefonat e tyre çdo kandidati ku i porosit gjithashtu që edhe sulmet ndaj Ramës dhe PS, do të bëhen vetëm me porosi të Strukturës drejtuese të PD, pasi fokusi i fushatës nuk do të jetë kundërshtari, por t’i bindin qytetarët për programin e PD”.

“Ju nuk reagoni në kor për Ramën dhe deklaratat e tij pa marrë porosi”, thuhet ndër të tjera në mesazhin me 7 pika që Sali Berisha u ka dërguar kandidatëve, ndërsa shtohet se: “Me Ramën dhe qeverinë merruni kur denonconi çështjet gjatë shpjegimit të programit tonë dhe në atë rast duke ruajtur raportin 80/20”.

I pyetur nëse strategu i fushatës së Trump në SHBA ka nisur punën me PD-në, Sali Berisha dha këtë përgjigje:

“Chris LaCivita unë të garantoj që është në aktivitet të plotë dhe unë jam në komunikim vazhdueshëm me bashkë krye strategun e fitores më të shkëlqyer në historinë e njerëzimit që ishte fitorja e Donald Trump.

Të vazhdueshëm, online.  Shpejt përfaqësuesi i firmës do të stacionojë këtu me ekipin tonë, ai do të vijë, do të shkojë. Me një fjalë është në aktivitet të plotë. Unë nuk e di pse bëhet kjo pyetje. Ai nuk është oficer fushe, ai është Marshall, e kuptoni vetë”.

Duket sikur tanimë loja është e hapur dhe lojtarët politikë janë në fushë për përballjen finale të 11 majit që ose do t’i japë PS-së mandatin e 4 ose do të rikthehet në pushtet PD-në pas 12 vitesh!

EMISIONET