Alibeaj: PD në zgjedhje pas 15 majit, me parime të reja, lëmë pas traditën berishiste
Partia Demokratike do të nisë procesin e zgjedhjeve të brendshme, direkt pas Vendoreve të 14 majit! Vendimin e lajmëroi kryetari I Komanduar Enkelejd Alibeaj, që fajësoi Sali Berishën për situatën në të cilën është PD.
Enkelejd Alibeaj do të drejtojë Partinë demokratike si kryetar i Komanduar deri në zgjedhjet vendore.
Pas 15 majit demokratët do të thirren të zgjedhin strukturat e reja drejtuese të partisë.
“PD mbas 15 majit do t’i nënshtrohet një procesi kapilar për zgjidhjen e organeve drejtuese të saj, duke iu futur një procesi të gjerë demokratik me rregulla të reja, me parime të reja, për ta lënë pas traditën berishiste, për t’u ndarë nga e kaluara e për të bërë një hap të ri, për ta lënë pas gjuhën e dhunës dhe të urrejtjes dhe për të mundësuar ndërtimin e një aleance me shumë potencial për vitin 2025.”
Ndërsa zbuloi kohën e nisjen e zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj akuzoi Sali Berishën jo vetëm për përçarjen e partisë demokratike, por dhe për dështimin e negociatave për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit.
Partia Demokratike vijon të goditet nga ish-lideri Sali Berisha. Kjo ishte deklarata e Enkelejd Alibeajt gjatë një takimi në Fier në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit ku prezantoi kandidaten Eriselda Zotaj Çelaj.
Por ne e dimë që kjo betejë nuk do të jetë e lehtë. Sepse Partia Demokratike e të gjithëve ne, Partia Demokratike që drejtoj, gjendet, prej një viti e gjysmë, nën një sulm të pareshtur. Partia jonë po goditet nga ish-lideri i saj historik, po goditet nga Sali Berisha.”
Gjatë takimit, kreu i komanduar i Partisë Demokratike theksoi se edhe pse janë në kushte jo të mira, në zgjedhjet e 14 majit do të jenë forca opozitare më e fortë.
“Ne do të jemi konkurrentë seriozë dhe të qartë në këto zgjedhje vendore, edhe pse koha është e shkurtër, edhe pse rrethanat janë të vështira. Ne ftojmë në një aleancë politike të gjitha partitë parlamentare ose jo, nga qendra në të djathtë të cilët janë për idealet euroatlantike, janë për orientimin perëndimor të Shqipërisë, janë për të luftuar dhe rrëzuar trekëndëshin e Bermudës të përfaqësuar nga tri pikat simbolike të tij Rama-Berisha-Meta që përbëjnë të shkuarën, që janë problemi dhe asesi zgjidhja.”
Partia Demokratike po shkon në zgjedhjet lokale me vetëm 14 kandidatë për bashkitë e vendit.