Policia “thyen rekord”, 621 gjoba në 24 orët e fundit për mos mbajtjen e maskës

Policia “thyen rekord”, 621 gjoba në 24 orët e fundit

Policia ka njoftuar se vetëm në 24 orët e fundit janë gjobitur 621 qytetarë për thyrjen e Ligjit të Maskës.

Masa e marrë ndaj tyre kanë qenë gjoba prej 3000 lekësh.

Sipas njoftimit, “Në zbatim të masave anticovid, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 621 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Në Gjirokastër është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një 41-vjeçar nga  Mallakastra, i cili ka tentuar të kalojë në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, duke qenë i infektuar me COVID-19.

Në Elbasan është ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë shtetasi P. N., pasi në lokalin në pronësi të tij, në Hotolisht, Librazhd, ka organizuar një ceremoni martesore, ne kundërshtim me masat anticovid.

Në Durrës është ndëshkuar me masën 5.000 lekë, një 21-vjeçar, pasi është konstatuar përsëritës i mosmbajtjes së maskës, herën e parë në rrugë dhe herën e dytë në një automjet, me drejtuesin e të cilit nuk kishte lidhje familjare. 

Gjithashtu, është ndëshkuar më masë administrative 1 milion lekë shtetasi E. B., pasi ka mbajtur hapur lokalin në pronësi të tij, në lagjen nr. 7, Korçë dhe ka vendosur muzikë pas orës 20:00 në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.”

Ndërkohë janë shoqëruar në komisariat edhe 11 persona të tjerë, të cilët nuk kanë pranuar që t’i tregojnë efektivëve të policisë mjetin e identifikimit. Pas tregimit të kartës së identitetit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Vendi Lajme policia e shtetit Aktualitet gjoba per maskat ligji i maskave

EMISIONET