Policia Rrugore me dorë të hekurt/ 22 shoferë të arrestuar, 153 patenta të pezulluara

Policia Rrugore me dorë të hekurt/ 22 shoferë të arrestuar,

Gjatë 6 ditëve të para të vitit 2021, i cili ka nisur me një numër të lartë aksidentesh rrugore ku nuk kanë munguar as viktimat, Policia Rrugore ka arrestuar 22 drejtues mjetesh, ka pezulluar 153 leje drejtimi dhe ka vendosur 3290 masa administrative për shkelje të ndryshme.

Lexo edhe:

2021 nis me aksidente, 3 viktima në 3 ditë

Drejtoria e Policisë Rrugore ka hartuar një plan të posaçëm masash, për monitorimin e qarkullimit rrugor në rrugët urbane, interurbane dhe akset kryesore rurale që lidhin qendrat administrative me rrugët urbane, duke përdorur gjithë bazën logjistike.

“Zbatimi i planit të masave ka filluar që në datën 4 janar 2021 dhe do vazhdojë edhe përgjatë muajve në vijim. Për të parë nga afër zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e masave, Drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore Edmond Tarkaj ka inspektuar gjatë dy ditëve të imolementimimt të këtij plani, disa nga pikat e monitorimit me radar të akseve kryesore nacionale, si dhe të monitorimit të qarkullimit në brendësi të qyteteve ku shërbimet e Policisë Rrugore përdorin alkooltestues dhe kamerat e vendosura në makinat e Policisë Rrugore që shërbejnë për evidentimin shkeljeve te ndryshme rrugore.

Tarkaj, gjatë një prononcimi ka theksuar “Ky plan masash konsiston në përdorimin e bazës logjistike si radarë, kamera, dragera dhe tableta, me qëllimin e vetëm parandalimin e aksidenteve rrugore”.

Viti 2020 shënoi rritje të parametrave të sigurisë rrugore me 270 aksidente më pak se në vitin 2019, gjë që ka ardhur si rezultat i përkushtimit të punonjësve të Policisë Rrugore dhe strukturave të tjera të Policisë.

Njëkohësisht, Drejtori i Policisë Rrugore ka apeluar për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, të vendosin rripin e sigurimit dhe të mos të përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Gjithashtu, drejtuesit e motomjeteve dhe biçiklistët të ndriçojnë me sinjale të dallueshme biçikletat dhe motomjetet gjatë qarkullimit në kushtet e errësirës.

Tarkaj ka ftuar qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Gjatë 6 ditëve të para të këtij viti në të gjithë vendin janë arrestuar 22 drejtues mjetesh, 12 prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 10 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 112 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 41 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Gjithashtu janë vendosur 435 masa administrative për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 393 për përdorim celulari, 737 për parakalime të gabuara, 145 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 36 për kontroll teknik, 35 për shkelje të semaforit, 956 për parkime të gabuara, si dhe 553 për shkelje të tjera të ndryshme”, njofton policia.

Lexo edhe:

Ekskluzive/ Aksidenti tragjik në Elbasan, momenti kur Golfi dhe minibusi përplasen kokë më kokë

Vendi Lajme Kronike masa policia rrugore patenta Aktualitet drejtues automjetesh

EMISIONET