Policia e Shtetit ka vazhduar edhe për vitin 2021 me gjobat për mos vendosjen e maskave në ambientet publike.

Kështu, gjatë ditëve të para të vitit 2021 janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1183 qytetarë që nuk kanë zbatuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Gjatë ditëve të para të këtij viti, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1173 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse. Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 15 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.  Po ashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 5 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.  Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 5 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 20:30, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.” – njofton policia.     

Ndërkohë, nga dita e sotme, rikthehet sërish ora policore e para datës 24 dhjetor, e cila kufizon lëvizjen e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 06:00.