Policia bën bilancin e 24 orëve/ 24 persona të arrestuar dhe 49 të shoqëruar për verifikim

Policia bën bilancin e 24 orëve/ 24 persona të arrestuar dhe 49

Policia e shtetit ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundi sa i përket punës së këtij institucioni në të gjithë vendin.

Uniformat blu bëjnë me dije se janë arrestuar 24 persona për vepra penale të ndryshme si dhe janë shoqëruar në komisariate 49 persona për verifikim.

Gjithashtu janë bllokuar edhe 12 mjete që udhëtonin pa dokumentacionet përkatëse.

Policia e Shtetit

Vijon në të gjithë vendin, zbatimi i detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, atyre me tendencë në krimet kundër personit, të atyre që shpërndajë apo trafikojnë lëndë narkotike  etj.

Gjatë orëve të fundit janë kapur dhe vënë në pranga persona të shpallur në kërkim kombëtar  e ndërkombëtar për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe krimeve ndaj personit.

Janë sekuestruar kanabis, kokainë dhe armë zjarri.

Në zbatim të planit operacional janë angazhuar të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, forca e posaçme “Shqiponjat”, FNSH-ja, RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe strukturat e Policisë Kufitare.

 Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit kanë funksionuar 75 pika kontrolli në akset rrugore nacionale, në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale, si dhe janë shtuar patrullimet në kufirin jeshil dhe atë blu.

Janë ushtruar dhjetëra kontrolle në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje të sendeve të kundërligjshme apo përdorim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve janë goditur tre raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, një në Tiranë, një në Vlorë  dhe një në Korçë  dhe janë vënë në pranga autorët.

Është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje në Sukth, Durrës, ku një 14-vjeçar qarkullonte me armë zjarri pistoletë me vete, janë kapur 5 persona në kërkim kombëtar dhe një në kërkim ndërkombëtar, janë goditur raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit etj.

Në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 24 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin, 49 persona me precedent penal të mëparshëm dhe pa dokument identifikimi me vete.

Janë arrestuar 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi, dhe 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, si dhe janë bllokuar 12 automjete që qarkullonin pa dokumentacionin përkatës.

Operacioni vijon.

Vendi Lajme Aktualitet

EMISIONET