Sindikata e shërbimeve policore të Shqipërisë paralajmëron nisjen e protestave pasi nuk janë plotësuar kërkesave për rritjen e pagave në policinë e burgjeve. Sipas kreut te Sindikatës, pavarësisht apelit të vazhdueshëm ndaj qeverisë, nuk është marrë asnjë hap ndonëse rritja e pagës është miratuar me VKM.

Sindikata e shërbimeve policore të Shqipërisë ka paralajmëruar nisjen e protestave në të gjithë vendin pasi nuk janë përmbushur kërkesat e për rritjen e pagave sipas gradave në policinë e burgjeve.

Kreu i Sindikatës, Valentin Macaj, nga Korça deklaron për mediat se nga dalja e vendimit të Këshillit të Ministrave për rritje e pagës ka një mungesë dialogu ndaj janë të detyruar të nisin protesta.

“Vendosmëria jonë për të nisur protestat me punonjësit e sistemit penitenciar shqiptar nga veriu në jug do të jetë e fortë, e shpejtë, e guximshme, derisa të realizohen kërkesat e punonjësve të policisë”.

Sipas Macajt, situata e vështirë e punës dhe plotësimi i vendeve vakante në policinë e burgjeve janë një tjetër pikë ku qeveria duhet të marrë masa.

“Plotësimin e organikës pasi mungojnë mbi 180 punonjës, pagesën korrekte të punonjësve të policisë, dhënien e trajtimit ushqimor.”

Sindikata e shërbimeve policore në datën 25 shtator i ka dërguar një letër kryeministrit Rama ku listoheshin problemet më akute që shqetësojnë këtë sindikatë dhe punonjësit e policisë së burgjeve.