Nuk kanë të ndaluar tentativat e trafikimit të klandestinëve përmes Shqipërisë në rrugën drejt Vendeve të BE. Një 27-vjeçar nga Tirana u kap në Pogradec duke transportuar në një furgon mallrash 28 klandestinë.

Plot 28 klandestinë po transportoheshin në këtë furgon mallrash në rrugën transit përmes Shqipërisë Drejt Vendeve të Bashkimit Evropian.

Mjeti ishte në rrugë drejt Tiranës ku u ndalua nga Policia rrugore në Pogradec.

Në pranga u vendos në kushtet e flagrancës drejtuesi i 27-vjeçar Denis Dervishi, banor i Tiranës.

Sipas dëshmive në polici, klandestinët nga vendet e lindjes i kishin dhënë nga 100 euro secili me premtimin se i riu do ti nxirrte në kufijtë veriore të Shqipërisë.

Prej aty ata do të synonin vendet e Bashkimit Evropian.

Tentative e trafikut kanë shënuar rritje gjatë muajve të verës, ku është vënë re edhe fenomeni i përdorimit të fuoristradave të ashtuquajtura të luksit me xhama të zi për transportin e emigrantëve.

Përgjatë vitit policia ka identifikuar më shumë se 250 të ashtuquajtur taksistë klandestinësh, ndërsa forcat e Frontex çdo ditë ndalojnë mesatarisht 20 emigrantë në kufirin e gjelbër me Greqinë.