Shkolla 9-vjeçare e Alarupit në Pogradec që prej ndërtimit nuk ka pasur kurrë ujë të rrjedhshëm, duke e bërë kështu thuajse mision të pamundur ruajtjen e higjienës me rikthimin në klasa në kushtet e pandemisë. Atë që nuk e bënë autoritetet e kanë realizuar një grup besimtarësh të cilët financuan hapjen e një pusi që i jep zgjidhje problematikës.

Nisja e procesit mësimor në kushtet e pandemisë së koronavirusit do ta gjejë me ujë shkollën ku mësojnë 84 nxënës.

Në oborr po hapet një pus posaçërisht për institucionin arsimor që ka vuajtur këtë problematikë që prej ndërtimit rreth 10 vite më parë.

“Shkolla prej vitesh nuk ka pasur ujë dhe ka qenë një probleme i madh.”

Atë që nuk e bënë institucionet e shtetit e kanë realizuar një grup besimtarësh myslimanë të cilët financuan projektin.

“Kjo iniciativë ka ardhur duke parë nevojën e shkollës në lidhje me mungesën e ujit. Jemi mobilizuar me disa besimtarë për mbledhjen e fondeve për hapjen e këtij pusi për ujin.”

Në prag të nisjes së vitit të ri arsimor, shumë shkolla në qarkun e Korçës hasin problematika të shumta që nga ato bazike siç është uji apo nevoja për ndërhyrje.

Por bashkitë e juglindjes duket dorëzuar në disa raste për shkak të pamundësisë financiare për ndërhyrje.