Kosova i drejtohet ditën e dielës kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re.

Për të folur mbi këtë temë, i ftuar në Ora News ishte Gëzim Podgorica, njohës i çështjeve ballkanike.

Sipas tij, këto zgjedhje erdhën të imponuara pas rrëzimit të qeverisë Kurti dhe gjithçka tjetër rrodhi më pas.

Gëzim Podgorica: Këto zgjedhje ishin të imponuara dhe nga një realitet i cili erdhi i imponuar edhe me rrëzimin e qeverisë Kurti dhe gjithçka çka ndodhi pas tregoi se kishim të bënim me një sforcim politik. Gjithë ky sforcim politik sigurisht kishte pasoja dhe do të ketë pasoja, aq më tepër që u zhvillua në një sfond të pandemisë, në kushte krejtësisht të pazakonta, në kushte tepër të vështira, të cilat e bënë edhe jo shumë të mundur ballafaqimin e politikanëve me elektoratin.

Sipas Podgoricës, këto zgjedhje duhet ti japin një mësim klasës politike në Kosovë, veçanërisht liderëve të vjetër.

“Këto zgjedhje duhet ti japin një mësim të mirë klasës politike në Kosovë, veçanërisht liderëve të vjetër politikë për faktin se, krijuan një aleancë të heshtur por që doli shpejt në sipërfaqe, për të penguar me çdo kusht ardhjen e zotit Kurti dhe zonjës Osmani në pushtet. Nuk ja arritën, Krijuan artifice të shumta, që nga Gjykata Kushtetues, KQZ dhe organizma të tjerë që monitorojnë dhe certifikojnë zgjedhje për të bërë këtë pengesë. Ndoshta, ky ballafaqim do të jetë edhe rezultati i pritshëm. Do të jetë një lajm shumë i mirë për Kosovën për faktin sepse do ti japë goditje gjithë këtij grupimi, gjithë këtyre aleancave fluide, gjithë këtij konstrukti të vjetër që ka detyruar Kosovën të ecë me një ritëm shumë të ngadaltë në zhvillime të brendshme, por të ketë pasoja edhe në marrëdhëniet me shtetet e tjera. Dalja e Kurtit dhe Osmanit do ti bëjë mirë Kosovës, pavarësisht asaj çka kundërshtarët politikë kanë artikuluar gjatë gjithë kësaj kohe“, u shpreh analisti.

Podgorica shtoi se Albin Kurti nuk është një lider autoritar, siç është akuzuar, por një lider që do të jetë kërkues.

Intervistoi në studio Matilda Mcini, përgatit për web-in Aurel Rakipllari