Ky është Zylyfqar Aliu, 67 vjeç. Jeton i vetëm në një barake në Tufinë.

Para 4 vitesh një problem në gishtat e këmbës e detyroi t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale. Që atëherë ai e humbi njërën këmbë.

Prej kohësh, kur bashkëshortja i ndërroi jetë, Zylyfqari ka mbetur i vetëm 7 vitet e fundit dhe nuk mundet që të përballojë vështirësitë.

“Po bën 7 vjet, gruaja ishte krahu im, ma preu krahun,” thotë ai.

Nga shteti nuk merr asnjë ndihmë financiare dhe as kemp si i gjymtuar.

“As ndihmë, asgjë s’më japin. Nuk më japin sepse aty ku u operova s’më dhanë një copë letër, vajta aty më tha do paguash. Ku kam lekë unë? Dhe mbeta tani,” thotë 67 vjeçari.

Mbështetet vetëm tek i biri.

Më mban djali. Çfarë të bëjmë,” thotë ai.

Kërkon të paktën një karrocë invalidi, pasi prej moshës nuk mundet të ecë me paterica.

“Gjithë ditën këtu, ja me atë televizorin kaloj kohën. S’kam ku të shkoj, karrocë nuk kam. Me paterica mezi lëviz me dhemb dhe këmba tjetër. Shteti po më ndihmoi mirë, po s’më ndihmoi do rri ashtu. Çfarë të bëj,” thotë ai mes lotësh.