Nxënësit e shkollës së Vidhasit në Elbasan prej muajsh e kanë zhvilluar mësimin më shumë online.

Kjo ka lënë mjaft mangësi tek nxënësit e ciklit fillor. Ndaj ky është shqetësimi kryesor i prindërve.

“Thonë online, por online shkruajnë kalamajt me shkronja Facebook-u.”

Shkolla 9-vjeçare Vidhas përbehet nga dy godina. Godina kryesore do ti nënshtrohet rikonstruksionit, ndaj aktualisht ajo është mbyllur, duke bërë që nxënësit të shpërngulen te godina tjetër, e për pasojë mësimi kryhet me tre turne.

Por, sipas prindërve punimet janë vonuar, pasi ato duhet të kishin nisur prej marsit të kaluar.

“Ata thonë riparim por unë nuk shikoj ustallarë apo bojaxhinj. Të vijë ta shikojë kush të dojë a punohet apo jo. Unë kërkoj ta di, a funksionon kjo shkolla po jo që të tërheq fëmijët e mi.”

Mungesa e ngrohjes është një tjetër problem për prindërit.

“Ngrohja është zero. Ku është ngrohja aty. Të hysh aty brenda është skandal.”

Jashtë kamerës drejtoria e shkollës bën me dije se mësimi online është udhëzim i Ministrisë së Arsimit, dhe jo kompetencë e shkollës. Ndërsa në lidhje me punimet që endë nuk kanë nisur në shkollë mësohet se janë bërë disa shkresa në njësinë administrative , por ende nuk ka patur një përgjigje nga kjo e fundit.