Banorët e Sharrës protestuan edhe mbrëmjen e sotme, duke kërkuar kompensim për marrjen e pronave nga kompania që ka ndërtuar landfillin atje.

Ata denoncojnë se janë përballusr me shantazhe dhe kërcënime të premten, fill pas largimit të ekipit të xhirimit të Ora News që përcolli shqetësimin e tyre.

“Sapo ndodhi takimi me ju erdhën Secyrity i kompanisë erdhën dhe më kërcënuan privatisht. Më thanë çfarë kishe, pse flet para derës. Ka banorë që kanë pronën e tyre dhe shiten për 300 mijë lekë që jep kompania. Banorët kanë një kërkesë, shpronësim me vlerën reale të tokës që është 25-30 euro metri katrorë. Ata tallen me një shumë qesharake, 4500 lekë të vjetra, nuk blen dot një paketë cigare.

Na kanë marrë ujin e pijshëm, të gjithë banorët e blejnë me lekë. Së dyti nuk duhet të zgjerohet projekti i landfillit, kanë shtëpitë, ka varreza, xhami, nuk duhet të prishen. Të gjithë banorët do ta mbrojnë me gjak dhe shpirt. I kishim mbjellë tokat me grurë dhe misër, këta i kanë mbjellë me bar. Mua më kanë marrë 6 mijë metra tokë dhe nuk kam marrë asnjë shpronësim” tha një banor.

“Jam 72 vjeç, toka e Sharrës është e Sharrës, çdo pëllëmbë tokë është e banorëve. Kanë ardhur tre herë gazetarë dhe nuk i lë kompania. Më kanë marrë 3400 metër tokë.”

“Toka është e Sharrës, ne e ndajmë me njëri-tjetrin, nuk ka punë tjetri.”

“Erjon Veliaj nuk pa pasur as nënë dhe as babën këtu, e ka në Gjirokastër. Në këtë firmë të Sharrës kam qenë punonjës dhe nuk kam marrë rrogën.”

Ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse nuk ka reagim nga Bashkia e Tiranës.

“Do të vazhdojmë me protesta edhe më të mëdha duke përfshirë të gjithë banorët, qoftë edhe duke bllokuar rrugën kryesore me të mëdhenj dhe të vegjël.”