Ish ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie ka krahasuar kaosin në SHBA me atë në Parlamentin kosovar në 2015.

Sipas tij, politikanë kosovarë në atë kohë hidhnin gaz lotsjellës në sallë për të vonuar kundërshtimin e ligjeve.

“Ngjarjet e dhunshme në Kapitol po më kujtojnë muajt e parë të mi në Kosovë në vitin 2015, kur disa politikanë hidhnin gaz lotsjellës në Parlament për ta vonuar votimin e ligjeve.

Si sot që po ndodh këtu, politikanët ishin të gatshëm ta sakrifikonin demokracinë për pushtet. Me ndihmën tonë, demokracia e Kosovës mbijetoi. Për kohë të gjatë kosovarët kanë pasur aspirata që të bëhen shtet si SHBA-ja. Me ngritjen e protestave të inspiruara nga Trumpi, sot a do të na admirojnë ende shtetet e tjera? Ndoshta, meqë kjo përpjekje u mund, por prapë pyes veten“, shkruan Delawie.