Autoritetet amerikane arrestuan të hënën bashkëshorten e baronit meksikan të drogës, El Çapo.

Ema Koronel Ajspuro u ndalua në një aeroport të Uashingtonit me akuzën se ka pasur rol në rrjetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike që menaxhonte bashkëshorti i saj.

31-vjeçarja gjithashtu akuzohet se në vitin 2015 dhe 2016 planifikoi dy herë arratisjen e tij nga burgjet meksikane të sigurisë së lartë.

Ish-modelja me nënshtetësi meksikane dhe amerikane ka dy fëmijë binjakë me 63-vjeçarin.

Hoakin Guzman aktualisht po vuan burgim të përjetshëm në Amerikë pas ekstradimit nga Meksika 4 vite më parë.

Ai ka qenë bashkëdrejtuesi i kartelit më të fuqishëm meksikan të drogës, Sinaloa, shkallë të cilën e ngjiti edhe duke eliminuar kundërshtarët, siç ka dëshmuar para gjykatës.

Duke nisur nga vitet 1980, besohet se nën urdhrat e tij janë trafikuar mijëra tonë kokainë, metamfetaminë, heroinë dhe marijuanë drejt Shteteve të Bashkuara.

Gjykata amerikane urdhëroi vitin e kaluar 63-vjeçarin që të paguajë mbi 12 miliardë dollarë për krimet e kryera.