Një konflikt i çastit mes fqinjësh ka degjeneruar në përdorimin e armëve duke lënë një të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur jashtë një blloku pallatesh në zonën e Astirit në Tiranë.

Burime për Ora News theksojnë se i plagosuri është shtetasi Spartak Beqaraj.

Ndaj tij është qëlluar disa herë me armë, por plumbat e kanë marrë vetëm në këmbë.

Siç bën me dije policia, Beqaraj po merr trajtim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për kapjen e autorit, të cilin e ka identifikuar.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 20.09.2020, rreth orës 17:45, në Unazë të Re, pranë një lokali, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se është plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasi S.B., 45 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ka rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për kapjen e autorit, i cili menjeherë pas plagosjes është larguar nga vendngjarja .

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe fiksimin e çdo prove materiale që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve“.

Duhet theksuar se, prej disa ditësh vendi është përfshirë nga një valë ngjarjesh kriminale që kanë shkaktuar panik te qytetarët.

Trinomi Tiranë-Elbasan-Durrës ka qenë epiqendra e vrasjeve, plagosjeve dhe atentateve me eksploziv gjatë javës që po lemë pas. /A.R, Ora News