Plumb 31-vjeçarit në Tiranë, dëshmia: Nuk i njoh autorët, më qëlluan nga pas. Ja për çfarë dyshon policia

Plumb 31-vjeçarit në Tiranë, dëshmia: Nuk i njoh

Një 31-vjeçar është plagosur me armë zjarri në kryeqytet teksa po ecte në rrugën "Don Bosko". Nga ngjarja e regjistruar në mesnatë ka mbetur i plagosur Leo Hera nga Laçi, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. I riu nga spitali është shprehur për policinë se nuk ka arritur të identifikojë autorët pasi e kanë qëlluar nga pas. Hetuesit dyshojnë tek ndonjë konflikt i mëparshëm i të riut, jashtë vendi, para se të ndryshonte dhe emrin.

Një 31-vjeçar nga qyteti i Laçit është plagosur mesnatën e të martës në kryeqytet, nga persona ende të paidentifikuar, të cilët e kanë qëlluar me plumb në këmbë.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 23:05, ku Leo Hera i cili po ecte i vetëm në rrugën “Don Bosko”, është qëlluar nga pas me armë zjarri.
31-vjeçari pas plagosjes është paraqitur vetë në spital nga ku ka telefonuar dhe policinë. Pas asistencës mjekësore i riu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Pas kallëzimit të 31-vjeçarit, grupi hetimor i mbërritur në ambientet e spitalit ka marrë dëshminë e të riut, i cili është shprehur se nuk ka dijeni dhe të dhëna për autorin e mundshëm.

"Nuk e njoh personin që ka qëlluar në drejtim tim. Kur jam qëlluar kam qenë duke lëvizur në këmbë. Për shkak të errësirës, nuk kam mundur të shoh personin që më ka plagosur, pasi të shtënat kanë ardhur nga pas shpine".

Sipas burimeve të policisë i riu nuk ka qenë bashkëpunues për ti dhënë detaje të vlefshme hetuesve për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Nga verifikimi paraprak, Leo Hera nuk rezulton me precedentë penal, por grupi hetimor është duke kërkuar për veprimtarinë e tij jashtë vendit.

Sipas policisë, i riu i cili më herët ka patur emrin Leonard, dyshohet të ketë patur ndonjë konflikt të mëparshëm jashtë Shqipërisë.

Burime nga policia bëjnë me dije se kanë marrë në dispozicion pamje të disa prej kamerave të sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.

Krahas kamerave të sigurisë janë marrë në pyetje dhe dëshmitarë të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, por hetuesit ende nuk ka ndonjë person të dyshuar për plagosjen e 31-vjeçarit.

Vendi Lajme tirane spitali i traumes arme zjarri Aktualitet leo hera

EMISIONET