Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama, përmes rrjeteve sociale njoftoi se ka përfunduar rruga e re e Velipojës dhe si shkaktare të vonesës 2-vjeçare quajti bashkinë e Shkodrës.   

Për Voltana Ademin, kryetaren në detyrë të kësaj bashkie qëndrimet e kryeministrit janë të turpshme. Në një reagim për mediat, ajo hedh poshtë akuzat se institucioni që drejton është bërë pengesë për ndonjë investim.

Voltana Ademi: “Ajo që mua më bën përshtypje, shumë përshtypje është një gënjeshtër e madhe në atë që thuhet, apo që thuhet nga goja e kryeministrit. Janë dashur 2 vjet për të nxjerrë aktin apo vendimin e Këshillit të Ministrave për shpronësimin. Unë do të kisha pretenduar që kryeministri të kishte kërkuar falje që nuk zbatoi një projekt që është miratuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar”

Kryebashkiakja sqaron edhe anullimin e tenderit për hyrjen e Shkodrës. Sipas saj, pas shumë diskutimeve është rënë dakort të rishihen disa elemente që lidhen me By pass-in e qytetit.

“Projekti i shëtitores dhe parkut në hyrje të qytetit do të realizohet. Ajo që ne do të korrektojmë, bashkë më Autoritetin Rrugor, është që gjurma që kërkohet për ‘Lotin e Dytë’ të mund të shërbejë si vazhdimësi e një pedonaleje, buzë liqenit të Shkodrës, që është pjesë e parkut”, është shprehur kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.

Kryetarja në detyrë e bashkisë Shkoder Voltana Ademi prej marrjes së mandatit 5 vite më parë, ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me qeverinë.