Përplasja në Elbasan, Celibashi apel liderëve politikë: Ajo çfarë humbasim ne të gjithë, më shumë se ajo çfarë ata fitojnë

Përplasja në Elbasan, Celibashi apel liderëve politikë: Ajo

Në një intervistë ekskluzive për Ora News, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi foli mbi ecurinë e fushatës elektorale në vend dhe pritshmëritë për zgjedhjet e 25 Prillit.

Kreu i KQZ u ndal edhe te vota e Diasporës duke pranuar se në këto zgjedhje një gjë e tillë është e pamundur.

“Për fat të keq duket pothuajse e pamundur, të paktën praktikisht duket e pamundur që kjo të realizohet për këto zgjedhje me gjithë angazhimin e KQZ për ta mundësuar në këto zgjedhje, por koha e pakët në dispozicion por edhe mungesa thuajse tërësore  e rregullave për ta normuar në këtë proces na ka sjellë në këtë situatë. Ajo çfarë dua të evidentoj është fakti se ne jemi duke punuar, duke mos e konsideruar si një çështje të mbyllur, pasi edhe nëse nuk do të jetë e mundur për këto zgjedhje, e me shumë gjasa nuk do të jetë e mundur për fat të keq, ne duhet ti heqim vetes çdo shkak dhe pretekst, ne si institucion por edhe çdokush tjetër që është i angazhuar në këtë proces, ti hiqet preteksti që edhe për zgjedhjet e tjera nuk patëm kohë apo nuk ja dolëm të përgatisim rregullat apo infrastrukturën teknike për të mundësuar votën e Diasporës", u shpreh Celibashi.

A do ta shmangë përdorimi i teknologjisë manipulimet zgjedhore?

“Sistemi që ne synojmë të implementojmë më 25 prill, me siguri absolute, identifikon në mënyrë të qartë dhe të plotë rastet e votimit të dyfishtë, rastet e votimit në qendër të gabuar votimi, rastet e votimit për llogari të një personi tjetër dhe për ata që do ta tentojnë këtë ka penalitete të rënda. Nëse në zgjedhjet e shkuara verifikimi do të merrte ditë, javë, muaj etj për të paktën një javë ose maksimumi 10 ditë ne do ta kemi këtë informacion nëse dikush ka votuar ose do të tentojë të votojë për llogari të dikujt tjetër apo çdo problematikë tjetër që lidhet me votimin e parregullt".

Komisioneri Shtetëror Zgjedhor u ndal edhe tek përplasjet e djeshme në Elbasante incidenti në selinë e FRD dhe në gjuhën e përdorur nga kryeministri Edi Rama për kandidatët e opozitës.

Sipas tij, këto ngjarje po e çojnë procesin drejt një rruge të rrezikshme.

“Më vjen keq por duhet ta them. Është një qasje që qartazi kontribuon në drejtim të kundërt të asaj që ne të gjithë jemi të angazhuar, të një procesi të rregullt, me standarde evropiane për një proces të lirë, të drejtë dhe të ndershëm. Unë nuk e kam as statujën institucionale për tju drejtuar qoftë Presidentit të Republikës, qoftë kryeministrit apo edhe udhëheqësve të tjerë politikë, por qoftë edhe si qytetar vlen ta them që ka vend për vetëpërmbajtje nga udhëheqësit politikë të të gjitha krahëve sepse sjelljet e tyre, retorikat e tyre ndikojnë drejtpërdrejtë në qasjen e militantëve politikë në lidhje me procesin zgjedhor. Jam i sigurtë që gjithkush e kupton ose secili prej tyre e kupton se sa e rëndësishme është sjellja dhe retorika e tyre politike në raport me standardin e zgjedhjeve. Dhe ajo çfarë humbasin ata dhe humbasim ne të gjithë është më shumë se ajo çfarë ata fitojnë", u shpreh Ilirjan Celibashi.

Lexo edhe: FOTO-EMRA/ Bardhi: Ja “të fortët” e Ramës që prishën festën në Elbasan

Vendi Lajme Ora News intervista Politikë Lajmi i fundit zgjedhjet Aktualitet ilirjan celibashi Intervista në Ora News

EMISIONET