I ftuar në “Politik On” në RTV Ora, gazetari Bledian Koka u shpreh se, kjo qeveri dhe ky kryeministër duhet të marrë përsipër disa përgjegjësi lidhur me situatën e përmbytjeve në vend.

Gazetari solli shembullin e Lungomares në Vlorë, që sipas tij nuk ka ndikuar aspak në mbrojtjen e qytetit nga përmbytjet, siç u reklamua nga qeveria.

“Vendi përmbytet sistematikisht por kjo nuk është alibi që “fajin e ka Saliu” apo Edi Rama.

Jo më larg se para tre muajsh, Bujar Leskaj i ka lënë pasardhësit të tij një dokument ku faktohet se kjo qeveri me investimet e gabuara i ka bërë dëm këtij vendi rreth 1.5 miliard euro. Pra këto janë raportet që janë aty, janë ulëritëse por nuk ka vesh kush ti dëgjojë. Dhe sigurisht vektori i kritikave shkon te institucionet e reja të drejtësisë, që aq shumë i pritëm dhe kaq shumë i reklamojmë si arritje. Pra, ja ku jemi. “Selaniku tatëpjetë, ashtu siç ishte do të mbetë”, mesa duket.

Në tetë vjet, një qytetar ose ca gazetarë, të mbledhur rreth një tavoline të rrumbullakët me në krye Alfred Lelën mund t’ja veshim disa përgjegjësi kryeministrit që na i ka shitur Lungomaren si një nga digat e forta që nuk do ta lejojë pjesën e Adriatikut që lag Vlorën të përmbysë qytetin. Ndërkohë ne kemi apokaliptike në Vlorë, si asnjëherë tjetër.

Mirë Saliu ia mbylli rubinetin Vlorës, po ky që ia hapi depozitën, çfarë bëri?”, u shpreh ndër të tjera Koka.