Lidhur me deklaratën e disa orëve më parë, ku Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se eurodeputeti Lorenzo Censa, që del në pah gjatë përgjimeve të antimafias italiane, si i implikuar në investimet në Tiranë në bashkëpunim me mafian kalabreze “Ndragehta”, ka lidhje me kryedemokratin Basha, ka ardhur dhe reagimi në kampin opozitar.

Shefi i kabinetit të Lulzim Bashës, Dorian Teliti, në një intervistë në Ora News tha se kjo deklaratë e Ballës është për të kamufluar në një farë mënyre skandalin e ndodhur.

“Është një skandal! Ajo që kemi parë ne gjatë këtyre viteve fatkeqësisht është rend i ditës, bashkëpunimi i qeveritarëve me krimin, madje dhe me krimin e organizuar shpesh herë. Ashtu si në zgjedhjet e vitet e 2016 në Dibër dhe në vitin 2017. Po që të vinte mafia italiane në Shqipëri dhe siç shprehen vetë ata që ne ndihemi si në shtëpi, është me të vërtetë për të shkulur flokët.

Kemi një rast të ngjashëm me çështjen Tahiri. Ju e mbani mend se si në fillim qeveria e trajtoi çështjen Tahiri, njëherë refuzoi, ashtu siç po bën edhe më tani. Më pas nisën të sajojnë lëvizje, aksione nga më të ndryshmet, për të shfajësuar veten e tyre dhe më pas filluan ta pranonin”, tha Teliti.

Gjithashtu Teliti bëri një paralelizëm me dy situata të mëparshme të ngjashme që është përballur Partia Socialiste. Në rastin e parë me “Dosjen Tahiri” dhe në rastin tjetër, në dosjen e përgjimeve në Dibër.

“Kjo është një lëvizje patetike e mazhorancës. Ne e shohim se çfarë ka ndodhur. Ne i kemi parë dhe i kemi lexuar. Kemi dëgjuar me veshët tanë dhe kemi parë me sytë tanë. Kjo nuk na implikon. Këto janë lëvizje patetike të numrit 2 të Partisë Socialiste. Kemi arritur që në vitin 2021 që zotër të vendit të mos jenë shqiptarët, por të jetë mafia dhe qeveritarët tanë të korruptuar”, tha Teliti.