Rrjedhja e bombulës së gazit u bë shkak për djegien e një banesë në qytetin e Vlorës, duke lënë një familje në qiell të hapur.

Një banesë u dogj në lagjen Partizani të Vlorës si pasojë e një zjarri, që paraprakisht dyshohet se u shkaktua nga rrjedhja e një bombule gazi.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në objekt, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale

Në momentin e zjarrit brenda banesës ndodhej e zonja e shtëpisë e cila është e paralizuar, dhe pasi është nxjerrë nga shtëpia është dërguar menjëherë në spital.

“Kisha lënë nënën në shtëpi dhe nuk e di si ka ndodhur, unë zbrita poshtë të pija një kafe dhe kur kthehem në shtëpi e gjej të djegur. Mamaja është në spital ,nuk e di si është gjendja se nuk më lejojnë të futem brenda. Na janë djegur katër dhoma, janë djegur plotësisht”, shprehet pronari i shtëpisë.

E njejta banesë ishte përfshire edhe më herët nga flakët, por tashmë e la pa çati mbi kokë familjen e Gëzim Racakut

“Është  hera e dytë që bie zjarri në këtë banesë, një herë e kemi fikur vetë zjarrin sepse kam zjarrëfikse në shtëpi. Në atë shtëpi jetojnë dy persona por kanë edhe dy fëmijë që jetojnë në Tiranë”, shprehen fqinjët.

Për të vënë flakët nën kontroll dhe për të shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit edhe në banesa të tjera u kërkua ndërhyrja e tre makinave zjarrfikëse.