Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë i ftuar në emisionin Tempora të Sonila Meccos në RTV Ora. Një pensionist është shprehur se Berisha ka bërë dy gabime, me pronat dhe dosjet e komunizmit që duhet ti hapte.

Pensionisti: Ne jemi të fundit në demokraci dhe të fundit në gjithçka, gabimi më i madh që ka bërë Sali Berisha janë dy gjëra. E para, prona, shteti lidhet me pronën, shteti i demokracisë lidhet me pronën, prona është e shenjtë.

Gabimi i dytë ishin dosjet, duhet ti hapte.

Meço: Është produkt edhe i një mungese le të themi përballje të drejtë me të kaluarën. Sot në shtypin shqiptar qarkullojnë pseudonime të personaliteteve që ende janë në jetën publike, drejtojnë institucione.

Situata në të cilën ndodhemi a është edhe produkt i kësaj pamundësi për ta parë të vërtetën në sy, për ti vënë emrin e duhur gjërave dhe ndoshta ndoshta ajo fjalia juaj bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor mos e ka penalizuar pastrimin e politikës nga e shkuara?

Berisha: Sonila unë duhet ti shpreh vlerësimin tim zotërisë për çështjet që ngriti, por duhet ti kujtoj dy gjëra.

Shqipëria në vitin 95-s ishte vendi i parë në Europë që miratoi ligjin e krimeve të diktaturës komuniste dhe genocidit komunist në Shqipëri, ky ligj kaloi në gjykatë Kushtetuese dhe u quajt i drejtë, këtë ligj 10 vite pas Shqipërisë e ka bërë Polonia. Me këtë ligj janë dënuar 73 zyrtarë nga komandant poste kufiri deri tek ish-presidenti i Republikës, të cilët që të gjithë u liruan dhe u dëmshpërblyen për ditët e burgut pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Në vitin 1996 Shqipëria miratoi ligjin e lustracionit, i cili largoi nga institucionet që të gjithë personat që kishin qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, pas ardhjes në pushtet socialistët hoqën nenet e lustracionit.

Në vitin 2008 Sali berisha kaloi sërish në parlament ligjin e lustracionit i cili largonte nga institucionet bashkëpunëtorët, por ligji u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese ku 5 anëtarë të saj ishin në konflikt interesi. Edhe sot ligji për dënimet e krimeve të komunizmit është në fuqi, dhe çdo qytetar shqiptar mund të padisë xhelatin e tij, por çdo përpjekje është e kotë. Sa i përket pronës qytetarët kanë të drejtë në kuptimin që dhe unë personalisht në vitin 90 nuk kisha koncept tjetër përveç se prona të zotit. Por kishte një rezistencë masive nga fshatarësia në zona të mëdha të Shqipërisë, dhe në mënyrë absolute mos u jepje një parcelë, siç u bë këtu binte zija e bukës dhe e mjerimit. Natyrisht mbrapa ky ligj mund të rishikoje, por problemi i pronave nuk është zgjidhur drejt.

/Ariglon Pali/Ora News/