Pensilvani, gjyqtari federal hedh poshtë padinë e Presidentit Trump për zgjedhjet

Pensilvani, gjyqtari federal hedh poshtë padinë e Presidentit Trump

Një gjykatës në shtetin e Pensilvanisë ka rrëzuar pretendimet e presidentit Donald Trump për parregullsi në votimet e 3 nëntorit, duke hedhur poshtë një tjetër padi që republikani shpresonte se mund të zhbënte humbjen e tij në zgjedhjet e fundit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pësuar disfatën ligjore të radhës duke shuar shpresat për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Gjykata e Pensilvanisë refuzoi në fundjavë padinë e presidentit për të mos certifikuar rezultatin me arsyen se miliona vota janë dërguar me postë në mënyrë jo të rregullt.

Pretendimet për parregullsi dhe për manipulime nëpërmjet sistemit elektronik të numërimit janë rrëzuar prej javësh si të pavërtetueshme.

Procesi i kontestimit vijon në shtete të tjera, si Miçigani, ku ekipi elektoral i presidentit sërish ka kërkuar shtyrjen e certifikimit të rezultatit.

Në Pensilvani, demokrati dhe presidenti i zgjedhur, Xho Bajden, ruan një avantazh me 80 mijë vota kundrejt kryeshtetarit aktual, ndërsa në rang vendi, ai prin me 6 mln vota më shumë.

Bajdeni ka siguruar edhe votat e nevojshme elektorale për të marrë Shtëpinë e Bardhë.

Kolegji Zgjedhor pritet të mblidhet më 14 dhjetor për të formalizuar fitoren e tij.

Presidenti Trump deri tani ka refuzuar të pranojë humbjen duke u ankuar se rivali i tij demokrat e mundi duke shfrytëzuar sistemin e padrejtë politik.

Fitoren e Bajdenit nuk e kanë pranuar as disa politikanë republikanë.

Presidenti Trump i ka kufizuar daljet për mediet pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Edhe në fundjavë ai zgjodhi ta kalojë kohën e lirë duke u ushtruar me sportin e golfit, ndërkohë që kundërshtarët vazhdojnë ta kritikojnë për përhapjen serioze të koronavirusit të ri, pandemi e cila ka infektuar mbi 12 milionë amerikanë dhe ka vrarë mbi 255 mijë të tjerë prej muajit shkurt.

Bota Lajme SHBA presidencialet ne shba

EMISIONET