Mes shqetësimeve në rritje për veprimet që mund të ndërmarrë Presidenti Donald Trump gjatë ditëve të tij të fundit në detyrë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha të premten se ajo kishte pyetur një gjeneral të lartë të Pentagonit se çfarë masash ekzistojnë për t’i paraprirë një urdhëri nga presidenti për sulm me armë bërthamore.

Mundësia, megjithëse në dukje e shumë e vogël, mund të jetë një nga aspektet nën shqyrtim në kuadrin e një përpjekjeje nga zonja Pelosi dhe disa udhëheqës të tjerë në nivel kombëtar për ta hequr Presidentin Trump nga detyra edhe para se të mbarojë mandati i tij në detyrë më 20 janar.

“Këtë mëngjes, unë fola me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Mark Milley, për të diskutuar masat paraprake në dispozicion për t’ia parandaluar një presidenti të paqëndrueshëm mundësinë e fillimit të përplasjeve ushtarake ose qasjen në kodet e nisjes dhe urdhërimin e një sulmi bërthamor”, shkruajti zonja Pelosi në një letër për kolegët e saj të Partisë Demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Situata e këtij presidenti të dalë jashtë kontrolli nuk mund të jetë më e rrezikshme (se ç’është), dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur popullin amerikan nga sulmi i tij trazues ndaj vendit tonë dhe demokracisë sonë”.

I pyetur për të konfirmuar bisedën telefonike, një zëdhënës i Gjeneralit Milley i tha Zërit të Amerikës se, “ai iu përgjigj pyetjeve të saj në lidhje me procesin e autoritetit të kodeve bërthamore”.

Zëdhënësi nuk dha hollësi për atë që u tha gjatë telefonatës.

Urdhri i paligjshëm

Presidenti ka autoritetin e vetëm për të urdhëruar lëshimin e një arme bërthamore dhe nuk kërkon miratimin e Kongresit ose këshilltarëve të tij ushtarakë. Por nëse një komandant ushtarak do të vendoste, sipas këshillës së juristëve të tij, se një urdhër i tillë ishte i paligjshëm, atëherë urdhri mund të refuzohej.

Udhëheqësit e kaluar dhe të tanishëm të Pentagonit gjithashtu kanë thënë se ata nuk do t’i binden një urdhri të paligjshëm nga presidenti.

Zonja Pelosi dhe kolegët e saj dëshirojnë gjithashtu ta shohin presidentin përpara përgjegjësisë për rolin e tij në nxitjen e turmës që sulmoi Kapitolin e Shteteve të Bashkuara këtë javë, duke vonuar çertifikimin e fitores së Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe duke çuar në vdekjen e pesë personave, ndër ta edhe një oficer i Policisë së Kapitolit.

Një lëvizje për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Trump për herë të dytë – nëse ai do të dënohej në Senatin e udhëhequr nga republikanët – do të kishte gjithashtu efektin që do t’i ndalojë mbajtjen në të ardhmen të posteve federale.

/VOA/