PD: Ndryshimet e njëanshme kushtetuese zhbëjnë marrëveshjen e 5 Qershorit

PD: Ndryshimet e njëanshme kushtetuese zhbëjnë marrëveshjen

Sipas Partisë Demokratike kryeministri Edi Rama ka gënjyer prapë sot.

Me anë të një dalje për mediat e sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Gazment Bardhi, PD thekson se ndryshimet e tij të njëanshme kushtetuese i eliminojnë koalicionet dhe prishin Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Sipas PD-së, nuk ka asnjë mënyrë që Edi Rama të miratojë këtë Marrëveshje pa e ndryshuar, siç gënjeu edhe sot, duke eliminuar koalicionet siç parashikohen sot me Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, Edi Rama zhbën këtë marrëveshje.

“Faktet janë e zeza mbi të bardhë dhe zbulojnë gënjeshtrat banale të Edi Ramës. Neni 68 i Kushtetutës aktualisht parashikon se: “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit.”Përcaktimi kushtetues nuk ka asnjë dilemë për çështjen e koalicioneve. Koalicionet lejohen nga Kushtetuta, por po ndalohen nga Edi Rama për interesin e tij personal.  Komisioni I Ligjeve e riformulon nenin 68 të Kushtetutës, si më poshtë: “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit.” - u shpreh Bardhi.

Për selinë blu, Edi Rama ka rënë dakord dhe Partia Socialiste ka firmosur më 5 Qershor, që jo vetëm të vazhdohet me koalicionet parazgjedhore, por gjithashtu që një parti politike, pjesë e një koalicioni parazgjedhor, të paraqesë listën e vet të veçantë.

“Faktet tregojnë se Edi Rama po gënjen. Ai është i tmerruar nga humbja e pushtetit dhe rotacioni i pashmangshëm. Me prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit ai po kërcënon rëndë stabilitetin e vendit dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndrimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Komisionerit për Zgjerimin dhe Bundestagut, si dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit.” – theksoi Bardhi.

Bardhi tha se është koha që marrëveshja të miratohet pa ndryshime, siç u firmos nga Këshilli Politik me pjesëmarrjen e të gjitha palëve politike.

Sipas tij, çdo akt tjetër tradhton interesin kombëtar, duke marrë peng nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Vendi Lajme Politikë PD gazment bardhi marreveshje 5 qershor ndryshimet kushtetuese

EMISIONET