Partia Demokratike e ka cilësuar skandaloze atë që po ndodh me kompaninë Ilyrian Guard, e cila sipas opozitës, për një periudhë 1 -vjeçare, bazuar në të dhënat e Thesarit, ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 4 milionë dollarë.

Departamenti i Antikorrupsionit në PD, thekson në një deklaratë se aktualisht kjo kompani ka 500 punonjës për shërbimin e ruajtjes dhe 72 punonjës të administratës së saj, numër i cili është projektuar të rritet.

Sipas PD, qëllimi kryesor i kësaj skeme qëndron larg atij të rritjes së cilësisë dhe uljes së kostove, por është ideuar për t’i ardhur në shërbim një qëllimi shumë më madhor dhe jetik për kryeministrin  e PPP-ve, me qëllim krijimin e një policie politike, e cila më shumë se kurdo, do t’i duhet dhe do të përpiqet t’i vijë në ndihmë në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas PD, kjo strukturë e politizuar si e gjithë administrata, është shembulli më i mirë se si ka funksionuar e funksionon kjo qeverisje.

Kjo polici private, ku vetëm bëhen tendera e merren para korrupsioni për tu futur në punë, sipas opozitës është një cënim dhe për sigurinë shtetërore.