Pas sulmeve terroriste me disa persona të vdekur në Austri dhe Francë, autoritetet shqiptare janë detyruar të rrisin masat e sigurisë në vend. Kalimi në gatishmëri është bërë pas kërkesës së agjencive të huaja për të rritur sigurinë në nivel evropian.

Autoritetet shqiptare kanë rritur vigjilencën në lidhje me sigurinë dhe kontrollin në territor pas sulmeve në Francë dhe në Austri. Masat janë aplikuar në ambientet publike, aeroporte dhe porte, apo pika kufitare ku ka një prezencë të shërbimeve civile si dhe rritje të numrit të patrullimeve të shërbimeve me uniformë të policisë.

Blloku i ambasadave në kryeqytet vijon të ruhet nga të njëjtat patrulla me punonjës të policisë pa ndryshim në nivelin e sigurisë.

Masat e vendosura nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në bashkëpunim me organet e specializuara ligjzbatuese do të jenë në fuqi gjatë gjithë muajit, për festat e 28-29 nëntorit, por edhe deri në fund të vitit për festat e Krishtlindjeve dhe për Vitin e Ri.

Gjatë kësaj kohe që siguria e vendit kalon nga protokolli jeshil në portokalli, drejtoria e anti-terrorit do shkëmbejë informacione me agjencitë e huaja ligjzbatuese lidhur me personat e dyshuar dhe të skeduar në fushën e terrorizmit.

Nga sulmet terroriste në Evropë gjatë ditëve të fundit mbetën të vdekur 7 persona. Nga dy sulmet e para pak ditëve në Francë mbetën të vdekur 3 persona dhe disa të tjerë të plagosur. Ndërkohë pas sulmit terrorist në Austri mbetën të vdekur 4 persona dhe të paktën 15 të tjerë të plagosur.