Pas rritjes së çmimeve të shportës, Qeveria bën indeksimin e pensioneve, ja sa do të jetë rritja për 700 mijë pensionistë

Pas rritjes së çmimeve të shportës, Qeveria bën

Nga 1 prilli pensionistët do të kenë një rritje me 2.7% të pensionit të tyre, e ardhur kjo nga indeksimi i miratuar sot nga Këshilli i Ministrave. 

Sipas përllogaritjeve, janë mesatarisht 390 lekë në muaj plus për pensionin minimal dhe 780 lekë plus për pensionin maksimal.

Bazuar në përllogaritjet e kryera nga INSTAT, indeksi mesatar vjetor i rritjes së çmimeve të shportës së mallrave të konsumit dhe të shërbimeve të pensionistëve do të jetë +2.7 %

Dhe qëllim i këtij vendimi është që të mbajë në nivele optimale vlerën reale të pensioneve dhe përfitimeve të tjera sociale duke rikuperuar efektet e rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit ndaj vitit pararendës. Gjithashtu, vendimi ka për qëllim edhe miratimin e koeficientit vjetor të indeksimit “bazës së vlerësuar” për efekt të kalkulimit të masës së pensionit fillestar që caktohet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë projektvendim do të përfitojnë rreth 702 944 përfitues, prej të cilëve 688 944 janë përfitues aktual dhe rreth 14 000 llogaritet të jenë përfitues të ardhshëm që do të marrin pension të indeksuar deri në indeksimin e ardhshëm.

Nga totali i përfituesve 555,442 janë pensione qyteti, rreth 114002 janë pensionistë që marrin pensione fshati dhe rreth 19,500 janë pensione sociale, pensione të parakohshme të ish-ushtarakëve, policëve dhe punonjësve të Gardës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë si dhe trajtime të veçanta, të ish-punonjësve të nëntokës, të industrisë ushtarake, ish-pilotëve, ish-ushtarakëve të nëndetëseve, të industrisë së naftës dhe metalurgjisë etj.

Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 2,4 miliardë lekë, përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH të vitit 2021.

Ekonomi Lajme Financa indeksimi i pensioneve

EMISIONET