Qeveria e kryeministrit Mario Draghi ka nisur nga puna pas marrjes së miratimit nga të dyja dhomat e parlamentit italian.

Kabineti me 23 politikanë dhe ministra teknikë u votëbesua të enjten me votat e 535 deputetëve nga 630 gjithsej. 

56 ligjvënës votuan kundër, mes tyre një pjesë e anëtarëve të partisë “Lëvizja 5 Yjet” e cila është brenda qeverisë.

Gjatë paraqitjes së programit paraprak politik, ekonomisti 73-vjeçar tha se përgjegjësia parësore e qeverisë do të jetë përballja me pandeminë në vend, vaksinimi i popullatës.

Në aspektin ekonomik, ai tha se parimore do të jetë lufta kundër korrupsionit, fenomen i cili dobëson ekonominë dhe nuk inkurajon ardhjen e investitorëve në vend.

Prioritet do të kenë edhe reformimi i sistemit civil dhe penal të drejtësisë, ri-ndezja e motorëve në sektorin e turizmit dhe nxitja e aktiviteteve sportive të prekura fort nga izolimi i gjatë.

Me votat e marra të mërkurën dhe të enjten, qeveria Draghi rezulton ndër kabinetet më konsensuale në historinë politike të vendit, me mbështetje më të madhe sesa qeveria e paraardhësit Giuseppe Conte, i cili dha dorëheqjen në janar.

Ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane bindi kampet kryesore politike të lënë mënjanë ideologjitë e tyre dhe t’i bashkohen atij në misionin për ta nxjerrë vendin nga krizat e ndryshme.

Përveç partive të mëparshme në pushtet, ekipi qeverisës ka në përbërje edhe ish-grupimet opozitare, “Legën” e Mateo Salvinit dhe Forca Italiane e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.

LEXO EDHE: Itali, kryeministri Draghi dhe kabineti i tij marrin votëbesimin e Senatit