Bashkia e Shkodrës rrezikon të hyjë në një krizë për menaxhimin e mbetjeve. Sinjalet e para u dhënë një ditë më parë nga kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila denonconte rritjen e çmimit të depozitimit të mbetjeve nga ana e këshilli Bashkiak i Vaut të Dejës. Ndërkohë këtë të mërkurë kandfilli i Bushatit ka vendosur të mos pranojë asnjë mjet me mbetje nga Shkodra deri në firmosjen e tarifave të reja.

Landfilli i Bushatit ka ndaluar shërbimin e depozitimit të mbetjeve për bashkinë e Shkodrës një ditë pasi kryebashkiakja Voltana Ademi denoncoi rritjen e çmimit të miratuar nga këshilli Bashkiak i Vaut të Dejës.

Mjetet e pastrimit të bashkisë Shkodër nuk po lejohen të futen në landfill për tu shkarkuar dhe kjo sipas autoriteteve lokale është formë presioni për bashkinë e Shkodrës për të nënshkruar kontratën e re me çmimin e rritur.

Bllokimi i depozitimit në landfillin e Bushatit rrezikon të prodhojë një krizë të mbetjeve urbane në Shkodër, siç u përball disa muaj më parë Durrësi.

Përplasjet mbi çmimin e depozitimit të mbetjeve nuk janë një lajm i ri, pasi një gjë e tillë ndodhi edhe përgjatë 2020-ës, apo në vitet e mëparshme.

Bashkia Shkodër disa herë në arsyetimet e saj ka theksuar faktin se landfilli është një investim i Ministrisë së linjës asokohe, që u ndërtua në Bushat për shkak të pozicionit gjeografik për ti shërbyer dy bashkive Shkodër e Lezhë, por ai nuk i përket asnjërës prej njësive vendore si pronësi që të mund të bëjnë si të duan.

Rritja e çmimit në një kohë kur buxheti i vitit 2021 ka kaluar dhe tarifat janë miratuar, bën që ndikimi në arkën e bashkisë Shkodër të shkojë në 26 milion lekë të reja në vit.

Çmimi i ri kap shifrën e 1500 lekëve për ton, nga 863 lekë që ka qënë deri më tani.