Presidenti, Ilir Meta, preferoi të mos i përgjigjet pyetjes se kë do të mandatojë për krijimin e qeverisë së re në 26 prill, partinë fituese apo koalicionin fitues në zgjedhjet e 25 prillit.

Presidenti insiston te mbajtja e një procesi të rregullt zgjedhor.

Meta: Të mos paragjykojmë rezultatet e zgjedhjeve, mund të ketë çdo lloj surprize. Tani ka rëndësi që vota e çdo qytetari të jetë e barabartë, të shprehet e lirë, larg çdo lloj intimidimi dhe të informohen të gjithë për të gjitha figurat që përbëjnë krim zgjedhor.

Meta shtoi se në garë ka shumë koalicione dhe parti dhe ftoi qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime për të zgjedhur apo ndëshkuar me votë forcat politike.

Meta: Në këtë garë ka shumë koalicione dhe shumë forca politike. Është me rëndësi që të gjithë qytetarët të nisen drejt kutisë së votimit dhe të vendosin kë do të zgjedhin dhe kë do të ndëshkojnë. Është e drejtë e tyre të gjykojnë me qetësi dhe objektivitet. Për mua është i rëndësishëm procesi. Do informojmë opinionin për të gjitha figurat e përfshira në krimet zgjedhore. Do të bëjmë çdo gjë për të patur zgjedhje plotësisht demokratike të ndershme. Do të bëjmë çdo gjë për të ndëshkuar për këdo që përpiqet të vjedhë një votë.

LEXO EDHE- Meta: Raporti i Parlamentit Evropian rrëzoi alibinë e propagandën se fajin e ka Evropa

Kreu i Shtetit tha se zgjedhjet e 25 prillit janë kyçe për 100 vitet e ardhshme.

Meta: Zgjedhjet janë kryekushti për rrugën europiane, mos besoni asnjë lloj propagande. Qytetarët të mos ndikohen nga asnjë lloj presioni, as nga mediat e cunguara, as nga sondazhet e oligarkisë për të krijuar idenë e mosndryshimit dhe të përjetësisë së kësaj lloj kënete. Të gjithë të kenë besim  se vota e tyre është fuqia e vetme reale që kanë në demokraci dhe kjo mundësi u jepet një herë në katër vjet. Zgjedhjet e 25 prillit nuk janë të rëndësishme vetëm për katër vitet që vijnë por për 100 vitet që vijnë. Që Shqipëria të fitojë kredencialet demokratike, të jetë vend i besueshëm për tu anëtarësua në BE, të arrijmë vendet e tjera që kanë qenë pas nesh dhe na kanë parakaluar. Kjo është sfida më e madhe për të gjithë ne.

Sa i takon propozimeve të mazhorancës për  ndryshime në reformën në drejtësi, Meta u shpreh:

Meta: Për çdo ligj që ka probleme kushtetuese apo ligjore do të ketë një përgjigje të gjatë shteruese.

Një koment edhe për prurjet e reja në listën e kandidatëve për deputetë të PS, Najada  Çomo dhe Luljeta Bozo.

Meta: Kandidimet në forca të ndryshme politike nuk janë në interesin tim. Por në interesin tim si President është të jenë figura me sa më shumë integritet. Dua të theksoj rëndësinë që qytetarët të shikojnë më vëmendje listat e çdo force dhe të votojnë për kandidatin dhe kandidaten që besojnë se ka integritetin më të lartë për të përfaqësuar interesat e tyre në Kuvendin e ardhshëm që tu japin mesazh të qartë kryetarëve të partive.