Në një lidhje me Skype për Ora News, eksperti i ekonomisë Zef Preçi ka komentuar parashikimet e zymta të Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit, borxhi publik i Shqipërisë do të arrijë në 83.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shënuar rezultatin më të lartë historik.

Sipas Preçit, një parashikim i tillë është i pritshëm për shkak të dy krizave (tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia) dhe keqqeverisjes.

“Ky është një zhvillim i pritshëm. Ndodh në kushtet kur të gjithë indikatorët e zhvillimit të ekonomisë prej disa viresh ka bërë që borxhi të jetë në nivele të larta, ndërkohë tërmeti i 26 njëntorit 2019 dhe kriza në vazhdim e pandemisë, ky kombinim faktorësh, keqqeverisja plus dy krizat ka sjellë në këtë situatë ku borxhi i është afruar 100%-it. Dhe unë pajtohem me ata që e vlerësojnë 100% për faktin e thjeshtë se, ende në borxhin publik nuk kanë përdorur zyrtarisht detyrimet e maturuara dhe ato në proces të PPP-ve, kësaj forme që po gërryen buxhetin dhe  po kompromenton zhvillimet makro-ekonomike të vendit”, tha eksperti.

Leftion Peristeri: Çfarë kushtëzimesh sjell për ekonominë e vendit dhe qeverinë një borxh kaq i lartë?

Zef Preçi: “Sa i takon ekonomisë së vendit, një borxh i lartë publik do të thotë se kushdo që do të qeverisë pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, do të jetë në dilemën e vështirë që të rrisë taksat apo të kapë shkopin, në kuptimin e zgjerimit të bazës së tatim-paguesve. Do të thotë, të shtohet numri i atyre që kontribuojnë sepse rreth 30% e ekonomisë është jashtë sistemit, që nuk kontribuon në të ardhurat buxhetore.

Nga ana tjetër, një borxh publik i rritur do të thotë që vendi nuk është tërheqës për investimet e huaja direkte, çka do të thotë se ekonomia nuk po performon siç duhet dhe tkurren e pakësohen burimet për investime. Po kështu edhe sistemi i kredimarrjes është i ndikuar nga këto rreziqe potenciale që mbart një borxh publik i lartë”.

FMN parashikon se borxhi publik i Shqipërisë do të arrijë këtë vit në 83.2% të PBB, niveli më i lartë historik që kur Shqipëria doli nga sistemi komunist. Ky rezultat është së paku 3.2 pikë përqindje më i lartë se parashikimet kombëtare të Ministrisë Financave, në aktin e fundit normativ për ndryshimin e buxhetit, që parashikon se borxhi publik të arrijë në 80% të PBB-së.

Për vitin 2019, FMN raporton se Shqipëria e kishte stokun e borxhit publik në 67.7% të PBB-së, rezultat i ngjashëm me raportimet e brendshme, por për këtë vit dhe në vijim më 2021, projeksionet janë të larta, duke arritur në 83.2% e PBB-së për secilin vit.

Sipas shifrave të FMN që prej vitit 1997, Shqipëria është përballur me një raport të lartë të detyrimeve publike me PBB-në, ku përveç këtij viti, në vitin 1997 dhe në 2015, ky treguesi shënoi respektivisht 72.2 dhe 73.7 % të PBB-së.

Në vitin 1997, vendi u përball me një krizë të brendshme e shkaktuar nga trazirat civile për falimentit të skemave të fajdeve.

Më pas, raporti i borxhit me PBB-në erdhi në një trajektore në rënie, duke shënuar pikën më të ulët në vitin 2007 me 53.6%.

Në tre dekadat e tranzicionit, ekonomia shqiptare ka përjetuar zhvillimet më pozitive në dhjetëvjeçarin e dytë.

Ecuria pozitive në tregjet ndërkombëtare, e kombinuar edhe me investime në tregun e brendshëm, e rritën ekonominë me ritmet vjetore mbi 6%.

/a.r, OraNews