Muzeu i ri Kombëtar i Qytetërimit Egjiptian pas hapjes plotësisht për publikun ka pritur me dhjetëra vizitorë, pas zhvendosjes aty të 22 faraonëve të mumifikuar, në atë që u cilësua parada më tërheqëse në vendin që vizitohet çdo vit nga miliona turistë.

Bashkë me mumjet e 22 faraonëve ishte edhe mbretëresha antike më e fuqishme e Egjiptit.

“Quhet muze i civilizimit sepse gjëja më e rëndësishme këtu është koncepti i civilizimit, jo një kohë apo epokë specifike. Çdo vitrinë tregon një histori ose një koncept të ndryshëm të civilizimit. Ne lidhim të gjitha civilizimet këtu” –tha Asmaa Said, kuratore në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian.

Mumiet hynë në mjediset e muzeut të ri pas një përshëndetje me 21 armë, në një udhëtim rreth gjysmë ore, të quajtur “Parada e Artë e Faraonëve”.

“Ne patëm fatin të shihnim nga afër ceremoni për muzeun e ri këtu në Kajro në Egjipt, kështu që ne sot erdhëm për të parë muzeun e ri dhe ishte e jashtëzakonshme të shihnim të gjithë historinë e Egjiptit këtu”, u shpreh një turiste franceze.

Seqenenre Tao II, “Trimi”, i cili mbretëroi mbi Egjiptin jugor rreth 1,600 vjet para Krishtit, pas tij Ramses IX, i cili mbretëroi në shekullin e 12-të para Krishtit, Mbretëresha Hatshepsut, që konsiderohet si faraoni më i fuqishëm femër, janë zhvendosur në këtë Muze.

Të stolisura me emrin e sovranit të tyre të caktuar, karrocat me ngjyrë ari dhe të zezë ishin të pajisura me amortizues për udhëtimin, për të siguruar që a asnjë nga ngarkesat e çmuara të mos shqetësohej aksidentalisht në rrugët e Kajros.

Siguria ishte e rreptë në kryeqytet: Autoritetet mbyllën rrugët kryesore dhe kryqëzimet gjatë gjithë rrugës për automjetet që lëvizin ngadalë.