Paqe në Mesdhe? Turqia rikthen në det anijen kërkimore

Turqia ka rinisur studimet për gaz dhe naftë afër territoreve greke të Mesdheut Lindor dhe rrezikon tani sanksionet nga Bashkimi Europian.

Ankaraja njoftoi se për 10 ditët e ardhshme, anija eksploruese "Oruç Reis" do shoqërohet nga dy anije të tjera në jug të ishullit Kastelorizo, për të siguruar të dhëna gjeologjike, gjeofizike, hidrografike dhe oqeanografike mbi depozitat e gazit dhe naftës në shelfin kontinental.

Anija "Oruç Reis" në mesin e shtatorit ishte tërhequr në portin e Antalies për arsye teknike, por atëkohë lëvizja u pa edhe si zmbrapsje diplomatike prej konfliktit me Greqinë dhe Qipron.

Athina zyrtare nga muaji gusht fajëson Turqinë se po destabilizon rajonin me pretendimet e veta se i takojnë më shumë territore ishullore dhe detare sesa zotëron aktualisht.

Territoret në fjalë janë pjesë e shtetit grek dhe qipriot.

Athina e mbështetur edhe nga Franca ka kërcënuar me përshkallëzim të situatës nëse cenohet sovraniteti i saj territorial, por me një retorikë po kaq të ashpër është përgjigjur Turqia.

Të dyja palët kanë mbajtur manovra ushtarake në territoret respektive.

Pas një samiti të jashtëzakonshëm në fillimin e muajit, liderët e Bashkimit Europian kërcënuan Ankaranë se nëse nuk ndal provokimet dhe aktivitetet e paligjshme në ujërat greko-qipriotë, do përballet me sanksione.

Greqia dhe Turqia janë të dyja anëtare të NATO-s, por historia e tyre e përplasjeve për territore detare dhe jo vetëm është shumë e gjatë.

EMISIONET