Vëllimi i mallrave të tregtuara në botë në tremujorin e dytë të vitit është tkurrur me mbi 14 për qind nga pandemia, me rëniet më të thella të raportuara në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Tregtia e mallrave në botë në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit ka rënë në nivelet më të ulëta që prej krizës financiare të dekadës së shkuar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Organizata Botërore e Tregtisë, eksportet e mallrave pësuan rënie me 14,3 për qind në nivel global mes dy tremujorëve, rezultat edhe më negativ sesa zbritja me rreth 10 për qind në mesin e krizës së fundvitit 2008 dhe fillimvitit 2009.

Edhe importet e mallrave pësuan ulje me 13,6 për qind në të njëjtën periudhë.

Në analizën e 72 vendeve që qarkullojnë mbi 90 për qind të mallrave në botë, rajoni më i goditur në kuptimin e vëllimit të eksporteve rezultoi Europa me një rënie me 21 për qind, ndjekur nga SHBA-ja me minus 20 për qind ndërkohë që Azia u prek relativisht më pak, duke e tkurrur volumin e mallrave në qarkullim me vetëm 7 për qind në tremujorin e dytë.

Për sa i përket vlerave, ato u ulën më fort përkatësisht me 23 dhe 26 për qind në muajt prill dhe maj, kohë që përkoi me hyrjen në fuqi të masave të rrepta antikovid në thuajse çdo vend të botës.

Zhvillime pozitive u vërejtën në qershor sapo ekonomitë e Europës dhe ato aziatike filluan rihapjen.

Sektori i shërbimeve në tregtinë ndërkombëtare u dobësua edhe shumë në muajt prill dhe maj, me rënie rreth 29 për qind nga viti në vit.

Në Amerikë eksportet e shërbimeve zbritën me 30 për qind në korrik, ndërsa trajektorja në Kinë reflektoi situatën e përmirësuar me koronavirusin e ri në vend.

Rezultatet e OBT-së për tregtinë e mallrave në botë edhe pse të dobëta, megjithatë janë më pozitive sesa parashikimet e organizatës në muajin prill, kur aktiviteti tregtar i mallrave pritej të zbriste me 30 për qind apo dyfishin e bilancit aktual përgjatë vitit 2020.

Bota vazhdon të vuajë ekonomikisht pasojat e një pandemie që rrit përditë numrin e viktimave të saj.

Nga afro 32 milionë persona të konfirmuar të infektuar, SHBA-ja, India dhe Brazili udhëheqin listën e vendeve më të prekura, ndërsa më shumë se 970 mijë kanë shkuar jetët e humbura.