Shqipëria është ndër shtetet ku lidhja mes emigrantëve dhe familjeve të tyre nuk shkëputet edhe pse kanë kaluar 30 vite nga hapja e kufijve.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat prej tyre janë rreth 10 për qind e prodhimit të brendshëm bruto.

Por kriza e pandemisë së koronavirusit, nuk solli vetëm krizën e biznesit vendas, apo rënien e investimeve të huaja. Dhe emigrantët sollën më pak të ardhura, madje duke shënuar një rënie rekord, të barabartë me vitin 2008 kur dhe nisi raportimi i këtyre të dhënave.

Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti remitancat rezultuan 273 milionë euro, me një rënie prej 62 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Tkurrja më e madhe është ajo ne muajt maj-qershor, pasi deri në mars trendi rezultoi në rritje.

Në raportin e Bankës së Shqipërisë citohet se kjo ecuri është ndikuar nga reduktimi i prurjeve cash si pasojë e masave kufizuese të levizjes së emigrantëve

Rreth 1 milionë shqiptarë kanë zgjedhur të jetojnë dhe punojnë në Itali dhe Greqi, ndërsa më pas renditen Gjermania, SHBA, Anglia etj.

Efektet e pandemisë janë ndjerë dhe në rritjen e papunësisë.

INSTAT raportoi se përgjatë tremujorit të dytë shkalla zyrtare e papunësisë arriti në 11.9% duke shënuar rritje me 0.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit.

Për shkak të kufizimeve rreth 50 mijë persona humbën punën çka mund të ketë qenë një faktor që ka nxitur emigrantët të ndihmojnë familjarët e tyre në Shqipëri.

Prej të paktën 5 vitesh, tendenca e remitancave i ishte rikthyer rritjes duke reflektuar rikthimin e ciklit të emigracionit.