Pandemia ka tkurrur me 32.2 miliard lekë të ardhurat në buxhetin e shtetit në dhjetëmujorin e parë të vitit.

Sipas publikimit më të fundit të Ministrisë së Financave, gjatë kësaj periudhe të ardhurat totale u realizuan në masën e 347 miliard lekëve nga 353 që ishin parashikuar.

Reduktim i ndjeshëm u shënua nga të ardhurat e arkëtuara nga Doganat dhe Tatimet, me një rënie prej 32.6 miliard lekësh krahasuar me 10 mujorin e parë të 2019-s.

Për periudhën janar-tetor këto dy institucione kanë arkëtuar 304.5 miliard lekë ose 3.4 miliard më pak se plani vjetor.

Nga ana tjetër shpenzimet kanë  shënuar një rritje prej 5.8% ose 22.6 miliard lekë më shumë krahasuar me një vit më parë.

Përgjatë kësaj periudhe bëhet e ditur se shpenzimet kanë arritur në 412.6 miliard lekë, ku përfshihet edhe paketa financiare Anti COVID-19.

Në raport bëhet e ditur gjithashtu se deficiti ka rezultuar më i ulët nga parashikimi.

Në planin vjetor niveli i deficitit ishte parashikuar 107.6 miliard lekë, ndërkohë që në fund të tetorit raportohet në rreth 65.4 miliard lekë.

Megjithatë ndikuar nga efektet e pandemisë, krahasuar me një vit më parë ky deficit ka shënuar një rritje prej 58.8 miliard lekësh më shumë.