Ekonomitë e mëdha të botës kanë rënë në krizë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kanadaja këtë javë iu bashkua vendeve të tjera anëtare të G7-ës duke konfirmuar tkurrjen më dramatike të të ardhurave në gjysmën e dytë të vitit.

Pandemia e koronavirusit përgjunji grupin e shteteve ndër më të industrializuara të botës në tremujorin e dytë të vitit.

Vendet e G7-ës, SHBA-ja, Japonia, Gjermania, Franca, Britania, Italia dhe Kanadaja raportuan mes prillit dhe qershorit 2020 rëniet më të forta ekonomike në historinë e tyre.

Ekonomia amerikane u tkurr me gati 31,7 për qind gjatë periudhës tremujore, duke shtyrë rreth 1 milionë njerëz të aplikojnë çdo javë për ndihma sociale për shkak të bizneseve të mbyllura.

Britania regjistroi recesionin më të thellë që nga viti 1955, me një rënie prej 20,4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, ndërkohë që GDP-ja e ekonomisë së dytë më të madhe të eurozonës, ajo e Francës, u zvogëlua me 13,8 për qind, Italisë me minus 12,4 për qind, dhe Kanadasë 11,5 për qind më ulët nga tremujori i parë.

Presioni i pandemisë në ekonominë gjermane rezultoi edhe më i rëndë sesa në kohën e krizës financiare të 2008-2009-ës, duke u reflektuar më rënie si në shpenzimet e konsumatorëve, edhe në eksportet dhe investimet e kompanive.

Të ardhurat në buxhetin e superfuqisë europiane u ulën me 9,7 për qind në tre muajt para korrikut, bilanc ky më negativi që nga vitet 1970, ndërsa ekonomia e tretë kryesore e botës, ajo japoneze, u zhvlerësua me 7,8 për qind krahasuar me janar-marsin e 2020-ës.

Ekspertët e fushës theksojnë se impakti i pandemisë dallon mes ekonomive, dhe se rimëkëmbja e shteteve favorizon ato që e administruan më mirë situatën me koronavirusin e ri.

Britania vlerësohet se ka numrin më të lartë në Europë të viktimave nga sëmundja infektive dhe se po merr më shumë kohë për ta rindezur motorin e ekonomisë së saj.

Ndryshe, në epiqendrën e hershme të virusit, reagimi i qeverisë italiane në aspektet ekonomike dhe kundër kovidit, e ndihmuan të dalë nga kriza me më pak efekte anësore sesa pritej.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, parashikon që pandemia të përkeqësohet në muajt që vijnë, dhe se përveç ndërhyrjes shtetërore, do nevojitet edhe solidariteti social.

Një sondazh i fundit me qytetarët e vendeve të G7-ës zbuloi se shumë prej tyre nuk kanë besim te qeveria për administrimin e situatës, veçanërisht amerikanët dhe britanikët.