Dy nga ekonomitë më të mëdha të Evropës, Franca dhe Gjermania po vendosin “lockdown”-et kombëtare teksa Europa po përballet me një vale të dytë të koronavirusit dhe me shifra infektimesh që rriten çdo ditë.

Nga e premtja, njerëzit në Francë do të lejohen të largohen nga shtëpia vetëm për punë shumë të nevojshme ose për arsye mjekësore.

Presidenti Emmanuel Macron tha se vendi rrezikonte të “pushtohej nga një valë e dytë që pa dyshim do të jetë më e vështirë se e para”.

Ndërkohë, Gjermania po vendos një shtetrrethim kombëtar “të butë”.

Masat që hyjnë në fuqi të hënën janë më pak të rënda se në Francë, por ato përfshijnë mbylljen e restoranteve, bareve, palestrave dhe teatrove.

Infeksionet po rriten ndjeshëm në të gjithë Evropën, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar e cila të mërkurën njoftoi 310 vdekje të reja dhe 24,701 raste të reja. Në Angli, një studim i ri tregon se pothuajse 100,000 njerëz po preken nga virusi çdo ditë, që çon në presion mbi qeverinë për të ndryshuar politikën e qasjes rajonale.

Në Francë, vdekjet ditore të Covid janë në nivelin më të lartë që nga prilli.

Të mërkurën, 36,437 raste të reja dhe 244 vdekje u konfirmuan.

Zyrtarët shëndetësorë gjermanë thanë të enjten se 89 persona të tjerë kishin vdekur në 24 orët e fundit, me një rekord prej 16,774 infeksionesh.

Aktualisht, bota numëron 44,787,418 të infektuar me Covid-19 dhe rreth 1,2 milionë viktima.