Britania ka propozuar një ligj për tregtinë e brendshme në rast se dështojnë negociatat me Bashkimin Evropian për marrëdhëniet tregtare dypalëshe. Brukseli thotë se ligji nisma shkel marrëveshjen e Breksitit por sërish kërkon hapësira për kompromis.

Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe do vazhdojnë bisedimet për të finalizuar marrëveshjen tregtare pas Breksitit, edhe pse palët pranojnë se mes tyre ka dallime të thella.

Tensionet u rritën të enjten kur Brukseli i dha ultimatum Londrës të tërheqë brenda shtatorit ligjin për tregun e brendshëm të propozuar nga qeveria.

Nisma do të debatohet në parlamentin britanik të hënën dhe parashikon anashkalimin e disa pikave të marrëveshjes dypalëshe që rikthejnë kufijtë doganorë mes veriut të vendit dhe Irlandës nëse pala britanike dhe evropiane nuk arrijnë kompromisin brenda 31 dhjetorit.

“Ligji është pikësëpari një masë ekonomike që na siguron se kur të ndahemi me BE-në dhe me 40 vite rregulla që mandatonin si qarkullonin mallrat në vendin tonë, do kemi një bazë ligjore e cila nuk na mban lidhur me rregullat e tregut unik të BE-së,” sqaroi ministri anglez, Majkëll Gov.

Qeveria e kryeministrit Boris Xhonson thotë se qëllimi i ligjit është të ruajë raportet e mira anglo-irlandeze dhe të mos rihapë plagët e konfliktit mes provincës së Irlandës Veriore dhe shtetit fqinj.

Kabineti irlandez akuzoi të premten Xhonsonin se po saboton procesin e paqes mes dy vendeve duke e konsideruar ligjin e njëanshëm, akt provokues, ndërsa ky i fundit ka refuzuar tërheqjen.

Qeveria britanike i ka lënë afat deri më 15 tetor negociatorëve të Bashkimit Evropian për të gjetur pikat e përbashkëta për të zhvilluar tregtinë e lirë dypalëshe.

Britania u shkëput nga blloku evropian më 31 janar.

Periudha tranzitore e divorcit mes partnerëve të vjetër do të zgjatë deri në fund të vitit.

Bisedimet mes palëve kanë ngelur te kërkesa e përsëritur e Brukselit për të pasur të drejta në zonën ekskluzive detare të Britanisë dhe te ndjekja rregulloreve të BE-së që kompanitë angleze të mos konkurrojnë në mënyrë agresive firmat simotra evropiane.

Kryeministri Xhonson, këmbëngul te autonomia e plotë në legjislacion dhe marrëdhëniet tregtare.