Një shpërthim i fuqishëm në një nga medresetë e Pakistanit la të martën të paktën 8 të vrarë dhe mbi 130 të plagosur.

Bomba e improvizuar u aktivizua në qytetin veriperëndimor të Pashavarit teksa pjesëmarrësit po merrnin mësime mbi Kuranin nga klerikët e pranishëm.

Autoritetet thanë se një sasi tritoli me peshë rreth 5 kg ishte fshehur në një çantë që autorët e kishin braktisur brenda sallës.

Shpërthimi i eksplozivit rreth orës 8:30 të mëngjesit shkaktoi një valë të fortë goditëse që u mori menjëherë jetën personave më afër vatrës dhe shkatërroi ambientet e brendshme.

Forcat e shpëtimit bënë me dije se bilanci i viktimave mund të rritet pasi fatkeqësisht janë të shumtë personat që kanë marrë plagë të rënda në trup.

Mes viktimave listohen të paktën katër fëmije dhe disa të rritur të moshave nga 20 në 40 vjeç.

Sulmi terrorist nuk është marrë përsipër nga grupet militante që veprojnë në rajon.

Qyteti i Peshavarit ndodhet afër kufirit me Afganistanin dhe përballet me dhunë të shtuar për shkak të kryengritësve talibanë.

6 vite më parë, sulmi i armatosur në një shkollë ushtarake la të vrarë më shumë se 150 veta, ndërsa sulmet janë pakësuar vitet e fundit me operacionet e forcave pakistanase të sigurisë.