Senatorët amerikanë pritet të votojnë paketën financiare 1,9 trilion dollarë për daljen nga pandemia.

Demokratët dhe republikanët zgjidhën të premten vonë ngërçin që mbante pezull një prej prioriteteve të qeverisë së presidentit, Joe Biden.

Paketa u garanton shumicës së amerikanëve pagesa direkte deri 1,400 dollarë, mbështetje për vaksinat dhe testimet anti-Covid për qeveritë qendrore e lokale, mbështetje për shkollat, për industrinë ajrore dhe sigurimet shëndetësore.

“Ky plan shpëtimi na duhet, absolutisht, për ta kthyer përmbys situatën ku gjendemi, të rikthejmë fëmijët në shkolla, t’u japim frymëmarrje bizneseve dhe të jemi avantazh me covid-19,” tha presidenti Biden.

Koronavirusi në Amerikë ka vrarë mbi 520 mijë amerikanë dhe po infekton të rinj çdo ditë.

Pandemia e ka goditur vendin edhe ekonomikisht, duke i marrë mbi 9 milionë e gjysmë vende.

“Kemi 1 milionë më pak arsimtarë sesa vitin e kaluar. Kemi humbur 400 mijë biznese të vogla. Ato dritaret boshe të dyqaneve nuk janë thjesht ëndrra të prera përgjysmë, por sinjale që edhe buxhetet e shteteve po vuajnë nga të ardhurat më të pakëta,” shtoi Biden.

Ligjvënësit ranë dakord të premten që deri në shtator, amerikanëve të papunë t’u garantohen 300 dollarë në javë nëse familjet e tyre fitojnë më pak se 150 mijë dollarë në vit.

Ndërkohë propozimi i ish-kandidatit për president, Berni Sanders, për ta rritur në 15 dollarë ora pagesën për punë, nuk u miratua.