Pak të pasur, shumë të varfër, 920 mijë individë kanë në llogari nga zero deri në 100 lekë

Diferenca mes të pasurve në Shqipëri dhe të varfërve është thelluar më shumë gjatë vitit 2020. Sipas të dhënave në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave rezultojnë 920 mijë individë që kanë zero deri në 100 lekë në llogaritë e tyre. Ndërkohë në 101 mijë llogari qëndrojnë më shumë se gjysma e totalit të kursimeve. Të dhënat tregojnë se të pasurit janë shtuar me 6.2 gjatë vitit 2020.

Diferenca mes të pasurve dhe të varfërve po bëhet gjithnjë e më e madhe në Shqipëri ndërkohë që  kjo situatë ka mbetur e pa ndryshuar edhe në vitin e pandemisë.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave në raportin vjetor të 2020 tregon se janë rreth 2.51 milionë llogari ose 96.1 e totalit të kursimtarëve që kanë më pak se 2.5 milionë lekë.

Në këtë shifër përfshihen edhe 920 mijë individë që kanë kursime me balance zero deri në 100 lekë.

Paratë e vendosura në banka u rritën me ritmet më të shpejta të viteve të fundit, por rritjen më të lartë e kanë shënuar depozituesit e mëdhenj.

Të dhënat tregojnë se depozitat nën 2.5 milionë lekë janë rritur me 4.5% duke arritur një total prej 445 miliardë lekësh por krahasuar me kursimtarët e mëdhenj, rritja është më e ngadaltë.

Kjo pasi individët që kanë më shumë se 2.5 milionë lekë janë rritur me një ritëm më të madh në masën e 6.2%.

Vlera e milionerëve në total arrin në 585.4 milionë lekë me një shtesë prej 34 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2019.

Hendeku është thelluar më shumë pasi shifrat tregojnë se më tepër se gjysma e parave të depozituara qëndrojnë ne vetëm 3.9% të llogarive ose 101 mijë e 194 individëve.

Ky raport sjell dhe njëherë në vëmendje pabarazinë ekonomike në Shqipëri, ku shumica e popullisë janë të varfër ndërkohë që një numër individësh bëhen gjithnjë e më të pasur.

EMISIONET