“Paguaj Specializantët!” Studentët e mjekësisë me vështirësi ekonomike, 857 mjekë të larguar nga Shqipëria

“Paguaj Specializantët!” Studentët e mjekësisë

Specializantët e kuotava të hapura të mjekësisë kërkojnë që tu paguhet puna që bëjnë gjatë kësaj periudhe, pasi e kanë të pamundur të përballojnë jetesën. Ndërkohë sipas sondazheve, 78 përqind e mjekëve të pyetur kërkojnë të largohen nga Shqipëria, ndërsa në 5 vitet e fundit janë larguar mbi 857 mjekë në drejtim të Gjermanisë. 

Studentët e mjekësisë kërkojnë prej qeverisë të paguhen specializantët e kuotave të lira, pasi e kanë të vështirë të përballojnë jetesën dhe tarifën e shkollës.

Alesia Mehmeti, specializante në kardiokirurgji në QSUT, shprehet se e ka të vështirë të përballojë kostot ndaj edhe detyrohet të punojë në një punë të dytë.

"Një  specializant që është me kuota të lira nuk paguhet në QSUT dhe është i detyruar që të gjithë koston e jetesës, përfshirë edhe tarifën e shkollimit, ta paguajë vetë. Jam e detyruar që të punoj pranë një spitali privat për të mbuluar kostot e jetesës".

Sipas një sondazhi, 78 përqind e mjekëve të pyetur kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Kjo për shkak të kushteve të punës dhe pagave të ulëta. 

Aktivisti, Marash Logu, shprehet se mbi 857 mjekë janë larguar nga Shqipëria në 5 vitet e fundit në drejtim të Gjermanisë.

"78 % e mjekëve që janë pyetur në një studim të kryer kanë thënë ne dëshirojmë që të largohemi nga Shqipëria dhe të punojmë në vendet e BE, duke preferuar Gjermaninë".

Një studenti të  mjekësisë i duhen rreth 11 vite arsim dhe specializim me një kosto totale prej 6.225.000 lekë.

Ndërsa duke ju referuar nivelit të pagave në Shqipëri, një mjeku do ti duhet të punojë 7.1 deri në 8.6 vite për të marrë mbrapsht të gjitha investimet gjatë viteve të arsimit.

Uncategorized Vendi Lajme Sociale specializant studentet e mjekesise

EMISIONET