Në një intervistë për Ora News, profesori Rrahman Pacarizi tha se në Uashington të gjithë prisnin një njohje të Kosovës, por kjo nuk ndodhi.

Për Pacarizin marrëveshja është realiste dhe ka të metat e veta dhe nuk ka humbës apo fitues absolut.

Rrahman Pacarizi: Të gjithë prisnin një njohje të Kosovës, por kjo nuk ndodhi. Marrëveshje është e rëndësishme, por nuk ka vend për entuziazëm. Marrëveshje nisi të mos quhej më marrëveshje, por një zotim për zbatimin e disa pikave. Marrëveshja e analizuar në kontekstin e zhvillimeve, është realiste dhe ka të metat e veta. Nuk ka humbës dhe fitues absolut.

Ndërsa Haradinaj ka reaguar më shumë për protagonizëm dhe mendoj se ka qenë i keqinformuar. Marrëveshja kishte një metodologji të përzgjedhur nga SHBA duke pasur parasysh situatën në Ballkan. Marrëveshja është bërë me zotimet e palëve për të respektuar ato pika dhe mendoj se kjo ishte një vendim i zgjuar i administratës amerikane.

Pacarizi shtoi se te çështja e moratoriumit pala kosovare e ka pranuar disfatën diplomatike me Serbinë.

Rrahman Pacarizi: Te çështja e moratoriumit Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë që e kundërshton marrëveshjen sepse pala kosovare e ka pranuar disfatën diplomatike me Serbinë. Kosova nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje dhe nuk ka arritur që të anëtarësohet në asnjë organizëm ndërkombëtar. Këto rezultate nuk mund t’i arrijë pa mbështetjen e SHBA-së, prandaj mendoj se ky ka qenë një kompromis pragmatist.

Shpresa e Kosovës dhe SHBA-së është që brenda një viti të nisë implementimi i plani i zhvillimit ekonomik dhe që ky plan t’i pajtojë mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë. Por Kosova nuk është realiste sepse nuk mund të pritet që pas kësaj Serbinë do ta ketë mbështetje. Kosova përveç SHBA-së, ka Shqipërinë mbështetje shumë të fortë.

Pacarizi theksoi se nëse implementohet kjo marrëveshje ekonomike, do të implementohet se është në favor të investitorëve amerikanë, gjë e cila është e mirë për Kosovën.

Rrahman Pacarizi: Mendoj se marrëveshja është realitet se është mbështetur në një plan ekonomik. Ndërsa referuar liberalizimin e vizave, SHBA është duke bërë një presion mbi BE. Pavarësisht nëse implementohet kjo marrëveshje ekonomike, por mendoj se do të implementohet se është në favor të investitorëve amerikanë, gjë që është e mirë sepse ka një rikthim të partnerit të Kosovës me SHBA-në. Mendoj se referuar situatës politike në Kosovë, do të ishte fatale që të rrëzohej qeveria që e arriti këtë marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti A. Kurti