Mëngjesin e sotëm në emisionin “Ditë e Re” në RTV ORA me Arjola Shehun dhe Arjon Muçën, ka qenë i ftuar Armand Peza ose ndryshe siç e njohim të gjithë Mandi i Geraldina Sposës.

Ai ka folur për vështirësitë që ka hasur për të arritur aty ku është sot si lindi ideja për të ngritur këtë biznes, gjithashtu nuk la pa përmendur edhe dëmet që pandemia shkaktoi në sektorin e organizimit të eventeve.
Kjo industri si shumica e bizneseve të tjera u tronditën shumë nga koronavirusi dhe ndryshe nga vitet e tjera kjo verë ka qenë dramatike për këtë sektor.
I pyetur nga moderatorja Arjola Shehu se si ndikoi kjo periudhë në biznesin e tij, Mandi u shpreh se e vetmja gjë e mirë që erdhi nga gjithë kjo situatë ishin pushimet me familjen. Pasi, pas gjithë këtyre viteve për herë të parë ai ka mundur të pushojë gjatë periudhës së verës me familjen e tij.
Mirëpo, përsa i përket ekonomisë dhe dëmeve që shkaktoi Mandi tha se ka qenë periudha më e vështirë prej shumë vitesh.

“Ka qenë dramatike pasi siç e thashë janë 27 mijë persona të cilët operojnë në këtë sektor dhe 1300 subjekte që merren me këtë lloj industrie, këtu futim dhe restorantet dhe resortet e bëra për këtë rast”– tha Armand Peza.
Dëmi ekonomik ka arritur shifra drastike, sipas tij shuma arrin deri në 400 milion euro.
“Këta 27 mijë njerëz paguheshin me 30 mijë lek të vjetra për çdo event, dëmi që i është bërë ekonomisë është 164 milion e 800 mijë euro minimalisht dhe maksimalisht 400 milion euro dhe kjo ndikon goxha në zinxhirin e ekonomisë së vendit”- shtoi ai.

Përsa i përket vendimit të qeverisë në lidhje me kufizimin e organizimit të eventeve Mandi tha se ndoshta ky është vendimi i duhur që është marrë ndonëse në sektorin tonë shkaktoi shumë dëm.
Dëmi është i madh, shumë njerëz pa punë e vetmja gjë që na mbetet tani është të mbijetojmë”– e mbyll Armand Peza.